laci1LAÇI – KUKËSI 2-1


 


Stadiumi i qytetit të Laçit, Laç, E mërkurë, 17 Prill, Ora 14:00


 


Ndeshja e parë: 0-0


 


Shënues: Valdano Nimani 33, Roland Peqini 65 (K), Emiliano Çela 79


 


Laçi: Edvan Bakaj, Sadush Danaj,  Emiliano Çela, Stipe Buljan, Sajmir Kastrati, Elio Shazivari, Valdano Nimani, Mishel Bilibashi, Alfred Zefi, Erjon Vucaj, Burhan Emurlai


 


Trajner:  Stavri Nica


 


Kukësi: Argent Halili, Rrahman Hallaçi, Julian Brahja, Renato Malota, Roland Peqini, Igli Allmuça, Besar  Musolli, Ylli Hoxha, Luko Biskup, Gerhard Progni, Lazar Popoviç


 


Trajner: Armando Cungu


 


Kartona të Verdhë: Alred Zefi, Igli Allmuça, Ylli Hoxha, Stipe Buljan


 


Zëvendësime:  46 Luko Biskup / Enkel Alikaj (K), 56 Elio Shazivari / Taulant Sefgjini (L), 70 Mishel Bilibashi / Albjon Blloku, 85 Besar Musolli / Gentian  Manuka (K), 87 Burhan Emurlai / Daniel Jubani (L)


 


Gjyqtarë:  Bardhyl Pashaj, Rejdi Avdo,  Gëzim Koka


 


Bardhezinjtë kanë mundur Kukësin në një ndeshje, që i kishte të gjitha, dhe do të luajnë kështu, finalen e parë në historinë e tyre


 


Laçi ka fituar derbin e Veriut në gjysmëfinalen e dytë të Kupës, dhe pas barazimit të dy javëve më parë, në Kukës, ka prerë biletën për një vend në finale. Bardhezinjtë, nën një atmosferë elektrizuese të krijuar nga numri rekord i tifozëve, kanë mposhtur verilindorët, dhe dhe do kenë mundësinë ti shtojnë dhe një kapitull, historisë që kanë shkruar në këtë edicion të Kupës.


Ndeshja e parë në Kukës, kishte përfunduar në barazim të bardhë 0-0,  dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores apo barazimit pa gola, i linte jashtë laçjanët. Megjithatë, të besuarit e teknikut Stavri Nica, arritën rezultatin e nevojshëm, duke lënë jashtë Kupe blutë e Cungut, të cilët mbanin petkun e favoritit.


 


Pjesa e Parë


Takimi nis nën atmosferën mahnitëse, që krijuan Ultras Divas, dhe tfozët e tjerë laçjanë të pranishëm në stadium, ditën e djeshme. Vihej re, ndërkohë, një numër i vogël tifozësh kuksianë, të cilët qëndronin në tribunën mbrapa porte. Minutat e para karakterizohen nga dëmtime të shumta, kjo si pasojë e ngarkesës dhe tensionit që përcillte ndeshja, por më tepër rezultati i saj.


Tentativa e parë e rrezikshme, ishte për vendasit, të cilët dalin bukur në krahun e djathtë me Vucajn, i cili kroson por topi parakalon gjithë pasqyrën e portës, pa u devijuar nga asnjë lojtar vendas. Në minutën e 12-të, vjen gjuajtja e parë për miqtë, të cilët shfrytëzojnë një kthim të gabuar të mbrojtjes laçjane dhe provojnë më Ylli Hoxhën, por gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit.


Ritmi i lojës ngrihet, dhe të dy ekipet dalin në kërkim të golit, por më të rrezikshëm do të jenë kuksianët, të cilët shkojnë pranë golit me Hoxhën. Mesfushori kosovar, shfrytëzon një kundërsulm të bukur të ekipit të tij dhe del i vetëm në zonë, por vonohet dhe gjuajtja e tij bllokohet nga mbrojtja laçjane.


Në fushë bie në sy ngarkesa emocionale, teksa herë pas here ka faulle të rënda dhe dëmtime për të dy ekipet, ndërsa nga një goditje dënimi, Laçi do të ketë mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh. Në minutën e 32-të, Vucaj, kroson në zonë, pas një goditje të lirë në krahun e majtë, dhe Çela gjuan bukur me pjesën e pasme të kokës, por Halili i vëmendshëm largon në goditje këndi.


Në aksionin pasardhës vjen dhe goli për vendasit, të cilët kalojnë në epërsi me Nimanin. Mesfushori shkodran shfrytëzon një goditje këndi të të zakonshmit Vucaj, dhe me kokë mposht portierin mik, duke kaluar Laçin në avantazh. Në stadium shpërthen festa, dhe tifozët janë të ekzaltuar për shënimin e golit, ndërsa i papërmbajtshëm është dhe stafi i ekipit.


Nimani kopjon Vuçiniç, në festimin e golit, teksa për ti shpëtuar kartonit të verdhë heq të mbathurat në vend të bluzës.  Kundërpërgjigja e kuksianëve është e vakët, dhe rasti i vetëm i rrezikshëm është ai i minutës së 42-të, kur Allmuça devijon me kokë një kros të Peqinit, por topi përfundon jashtë kuadratit. Arbitri Pashaj vendos ta mbyllë me kaq pjesën e parë të takimit, dhe i dërgon lojtarët në dhomat e zhveshjes.


 


Pjesa e Dytë


Me fillimin e pjesës së dytë  trajneri i bluve, Armando Cungu, vendos të bëjë një zëvendësim, teksa largon të padukshmin Luko Biskup, dhe në vend të tij hedh në lojë Enkel Alikajn. Hyrja e shkodranit sjell ndryshime në lojën kuksiane, teksa miqtë qarkullojnë më shumë topin dhe lëvizin më mirë në sulm.


Pak minuta më vonë, ndërkohë, vjen dhe zëvendësimi i parë për vendasit, për të cilët, del nga loja Shazivari dhe në vend të tij futet Sefgjini. Kukësi dominon minutat e para të ndeshjes, ndërsa laçjanët, disi të presionuar bëjnë herë pas here gafa në mbrojtje, të cilat u kushtojnë shtrenjtë në minutën e 65-të, kur Peqini gjen golin e barazimit dhe të kualifikimit momental.


Pas një faulli në dëm të Popoviç, Pashaj akordon goditje dënimi në favor të miqve, të cilin e merr përsipër Progni. Mesfushori tropojan gjuan fort dhe topi përplaset në mur duke përfunduar sërish te Progni, i cili gjuan sërish por kësaj herë tentative e tij, pavarësisht se nuk ka forcën e duhur, surprizon Bakajn. Portieri vendas gabon në pritje, dhe topi përfundon te Peqini, i cili nga pak metra distancë nuk e ka të vështirë të shënojë.


Barazim, dhe gjithçka për tu bërë nga e para për vendasit, ndërsa për miqtë mjafton dhe një gol që të kualifikohen. Goli i miqve nxeh laçjanët, të cilët hidhen me forca të shumta në sulm, dhe në aksionin direkt pas golit kanë mundësinë më të mirë për të kaluar sërish në avantazh, teksa Zefi kalon gjithë mbrojtjen mike dhe i vetëm me portierin Halili gjuan, por portieri vlonjat bën mrekullinë dhe shpëton portën. Topi përfundon te Emurlai, i cili gjuan, por bllokon Malota, i cili shpëton për së dyti portën e bluve.


Kundërpërgjigjet Kukësi, vetëm pak minuta më vonë me anë të Prognit, por mesfushori tropojan nuk shfrytëzon siç duhet krosin e Allmuçës dhe e nxjerr topin jashtë kuadratit. Kur asnjë nga mesfushorët, apo sulmuesit laçjanë nuk po nxirrnin gjë në dritë, është një mbrojtës që i dhuron kualifikimin bardhezinjve. Emiliano Çela, përfiton pas një rrëmuje në hyrje të zonës dhe në pozicion diagonal gjuan, duke shënuar një eurogol dhe duke çuar në qiellin e shtatë mijëra tifozë laçjanë.


Goli duket se i pret gjunjët miqve, të cilët nuk kanë forca për të reaguar, ndërsa kundër tyre kanë dhe erën, e cila i bën punë të zotëve të shtëpisë, duke larguar topat e gjatë që nuk mund të largojë mbrojtja. Përveç një rasti të Bllokut, në minutën e 82-të, minutat e mbetura nuk ndryshojnë gjë, dhe arbitri Pashaj fërshëllen për të sinjalizuar fundin e takimit, dhe për të dërguar kështu në finale, për herë të parë në historinë e tij, Laçin.


 


Sikur të ishte luftë


Të pranishme në ndeshjen e djeshme në Laç kanë qenë forca të shumta policore si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, duke i dhënë një klimë jo të këndshme takimit dhe duke konfirmuar rrezikun e incidenteve. Tensioni dhe ngarkesa emocionale u vunë re dhe gjatë ndeshjes, ku shpesh herë loja ndalej si pasojë e dëmtimeve dhe e faulleve të rëndë. Absurd ishte momenti i minutës së 67-të, kur pas dëmtimit të futbollistit mik, Ylli Hoxha, një punonjës i fushës godet mjekun e skuadrës kuksiane, Pertef Rusi, i cili është dhe mjek i ekipit kombëtar.


Në çastin e goditjes kanë ndërhyrë lojtarët e Kukësit për të qetësuar situatën, ndërsa mësohet se më pas punëtori i fushës është arrestuar hde është shoqëruar për në komisariat nga Policia.