Ish-ministrja e Arsimit dhe e Sportit, e zëvendësuar tashmë nga një minstër teknik i propozuar nga PD, ka reaguar pas deklaratave të deputetes së LSI Kejdi Mehmetajt, e cila fliste për dështime në arsim.


Ajo i rendit disa pyetje Kejdit teksa ndër të tjera shkruan: Ti je një vajzë e re, dhe nuk ka dëm më të madh që i bëhet kauzës së të rinjve në politikë, sesa kur dikush, që i janë dhënë të gjitha mundësitë për të kontribuar, zgjedh politikën e baltës.


Por nuk ka vonuar përgjigja “flakë pë flakë” e Mhemetajt, e cila sërish në një status ironizon dhe sulmon Nikollën, duke iu drejtuar “Zysh Lindita…”.


Statusi i plotë i Lindita Nikollës:


Më dërguan sot një status të Kejdit, ku akuzon për dështime në arsim këto katër vjet. Habitem që kandidatë të LSI sillen si opozitarë. Ska përligjie më të mirë se ky status, për kërkesën tonë që, PS duhet të drejtojë e vetme timonin e reformave në të katër vitet e ardhshme. Ky status është vërtetimi që, forcat e tjera në koalicion, njërën dorë e mbajnë në timonin e qeverisë dhe tjetrën e përdorin për të goditur forcën kryesore që nxit reformat në vend.


Disa pyetje për Kejdin si deputete e LSI:


Ku ishe ti moj vajzë, kur u mbyllën 22 universitet private, piramida të ngritura edhe kur forca jote politike bashkëdrejtonte Ministrinë e Arsimit?


A ke diçka për të thënë për bashkëpërgjegjësinë tuaj në hapjen e universiteteve private piramidale si kërpudha deri në 2013-ën?


Si i ka patur marëdhëniet forca juaj me universitetet e mirënjohur për shitje diplomash?


Ku ishe ti Kejdi dhe deputetët e tjerë të forcës tënde, kur ju ftuam për të prezantuar dokumentin e gjelbër të reformës? Nuk erdhi askush, megjithëse jeni ftuar rregullisht.


Ku ishit kur ju ftuam për të prezantuar dokumentin e dytë të reformës? Prapë askush.


Po kur ftuam të gjithë komisionin e arsimit për të diskutuar me detaje draft ligjin me komisionin e reformës ? Sërish në Jalë?


Sa kohë qëndrove kur u debatua ligji në Komisionin Parlamentar, për tri ditë rresht, nga 16 orë në ditë? Sa sugjerimë për përmirësime bëre?


Pse munguat edhe në debatin maratonë publik të komisionit, në lidhje me vërejtjet e ardhura nga universitetet ?


E dashur Kejdi,


Ti je një vajzë e re, dhe nuk ka dëm më të madh që i bëhet kauzës së të rinjve në politikë, sesa kur dikush, që i janë dhënë të gjitha mundësitë për të kontribuar, zgjedh politikën e baltës.


Dy fjalë për reformën dhe ligjin, që me shumë gjasa ende nuk e ke lexuar, megjithëse e ke votuar vetë. Nuk ke dëgjuar edhe se çfarë ekspertët dhe përfaqësuesit e KE thonë për atë që ti e quan katrahurë. Informohu paraprakisht edhe për aktet nënligjore.


Ligji forcon universitet publike, iu jep autonominë për të cilën kanë patur nevojë, iu jep mundësinë të zgjedhin vetë si dhe sa të zhvillohen. Dhe kjo ka dhënë rezultatin e saj.


Vitin që shkoi u regjistruan në universitet publike 5 % më shumë studentë dhe në universitetet private 27% më pak se përpara reformës. Ku e mbështet tërë atë batare balte moj vajzë?


Ligji i jep mundësi më të mirëve të zgjedhin degët që duan dhe kjo ka dhënë rezultat. Vitin që shkoi, u përmirësua ndjeshëm cilësia e studentëve në 56% të programeve të studimit në universitetet publike.


Ligji u mundëson universiteve publike të hartojnë buxhetet e tyre dhe të përdorin në mënyrë efiçente financat dhe kjo ka funksionuar. Buxhetet e univesiteteve këtë vit, janë më të mëdha, megjithëse nuk janë rritur me asnjë qindarkë tarifat.


Ligji vendos kontroll të rreptë mbi cilësinë e universiteteve publike dhe private, ndaj me agjensinë britanike të akreditimi po vijohet për kontrollin dhe akreditimin e universiteteve.


Është bërë shumë dhe ka ende edhe më shumë për të bërë. Por siç duket qartë, kemi shumë për humbur, nëse kthehen ata që e sollën arsimin në gjendjen që e gjetëm.


Dhe në fund një këshillë Kejdi:


Mos e bëj gabimin që bëre një vit më parë, duke shkaktuar panik tek maturantët. A ke menduar një çast se sa keq ke ndikuar tek ata me daljet e tua vend e pa vend? Të njëjtën gjë po tenton të bësh edhe këtë vit me statusin tënd.


Nuk meritohen votat kështu!


Ndaj të pres të dalësh e të bësh thirrje që të ndëshkohet kushdo që mashtron maturantët, duke iu ofruar tezën imagjinare në këmbim të kartës së identitetit dhe të eurove për kartën e prindërve.


Bashkohu dhe ti me mua për ta denoncuar këtë mashtrim! E para, nuk ka asnjë shans, për askënd, që teza e sekretuar e maturës shtetërore, me disa nivele sigurie, të dalë. E dyta, ky është trefish krim: njerëzor, shoqëror dhe elektoral. E treta, gënjeshtra nuk mund të jetë kurrë një shans për të gjithë.


Reagimi i plotë i deputetes së LSI:


E nderuar zysh Lindita,


Kur gënjeshtra të kthehet në patologji, jo vetëm nuk ofron shanse, por të nxjerr humbës në përballjen e rradhës!


Më lejo të të kujtoj si fillim se unë nuk jam moj vajzë, pasi nuk jam vajza juaj që studion në Francë dhe as vajza e korridoreve të Partisë Socialiste që pret urdhrat e shefave për të vepruar, qoftë për vendimet mbi jetën personale apo atë familjare. Nuk jam moj vajzë, jam deputete e Kuvendit të Shqipërisë, që të ka kërkuar shumë herë llogari dhe që nëse nuk e kujton, disa herë më kërkove të tërheq interpelancën e fundit që kërkova me ju, pasi nuk kishit argument tu jepnit përgjigje maturantëve.


Së dyti, sërish po ju kujtoj e nderuar zysh Lindita se angazhimi im konkret për reformën në arsimin e lartë ka dhënë frytet e veta dhe të paktën ka shërbyer për të sensibilizuar të rinjtë për katrahurën që ju kurdisët në kurriz të maturantëve. Unë kam qenë disa herë në zyrën tuaj për të diskutuar për ligjin dhe me keqardhje po konstatoj sërish, se ju si ish ministre ende nuk e kuptoni ligjin dhe pasojat e tij. Ju nuk keni si ta dini çfarë kam thënë në komision apo parlament, sepse ju vetë as nuk keni qenë në komision dhe as keni marrë pjesë në hartimin e ligjit të arsimit të lartë, për të janë kujdesur oligarkët e arsimit privat me të cilët ju dhe të tjerë kanë lidhur interesat në kurriz të të rinjve shqiptarë.


Së treti, çdo akt yni për reformën në arsim ka ngecur pikërisht në zyrën tuaj, ku ndodhet e varur në mënyrë të dukshme edhe diploma juaj nga një universitet privat, e ngjashme me diplomat e disa kolegëve tuaj në grupin parlamentar. Më mirë se unw, ju duhet ta dini nëse diplomën tuaj e keni dhuratë apo e keni blerë ashtu sikur na akuzoni në statusin tuaj. Ju kujtoj se unë vazhdoj të jem studente në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe sado të mundoheni nuk mund të gjeni asnjë fije të dukshme ose të padukshme që më lidh me universitetet private në Shqipëri. Pikërisht këto fije të dukshme apo dhe të padukshme që ju lidhin ju me oligarkinë e universiteteve private, ju pengojnë të shihni të vërtetën në sy dhe të përballeni me dëmin që i keni bërë maturantëve në Shqipëri. Më kot mundoheni të fshiheni pas gishtit për gafat dhe gabimet me ligjin e arsimit, po kaq sa të kota janë dhe presionet që po i bëni mësuesve në të gjjthë Shqipërinë në emër të gjuetisë së shtrigave për motive të pastra politike.


Dhe e fundit e nderuar zonjë, më mirë se unë e dini që asnjëri prej nesh në LSI nuk mund të premtojë teza apo nota provimesh, pasi ky është një proçes që e kontrolloni vetëm ju të PS. Sikundër po ju paralajmëroj se do të kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor për të gjithë rastet e drejtuesve të gjimnazeve të Tiranës apo dhe qyteteve të tjera që premtojnë fshirjen e mungesave në këmbim të votës për partinë tuaj. Për të gjitha sa më sipër jam e gatshme të përballem me ju në një debat televiziv,të cdo formatiqë dëshironi, për tjua bërë dhe njëherë të qartë shqiptarëve se çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi angazhimin tonë në reformën në arsimin e lartë është përpjekje e dëshpëruar dhe e pavlerë.


Me dashamirësi I uroj suksese të gjithë maturantëve sot në provimin e tyre të parë dhe ju siguroj se me votën tuaj për LSI në 25 qershor I hapni rrugën përfaqësimit dinjitoz dhe punës konkrete për një sistem arsimor cilësor.


 


5 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)