Nga Elton Metaj


Mëngjesin e ftohtë të 15 marsit në Helsinki, Arta Dade është ndjerë e surprizuar kur të rinjtë socialdemokratë finlandezë i kanë dhuruar lule. Politikania socialiste ka festuar 64-vjetorin e lindjes, teksa ndodhej në veri të Europës, si pjesë e një delegacioni parlamentar. Një natë më parë kishte surprizuar të tjerët, duke u fotografuar teksa luante shah me një nga këshilltarët e afërt të Metës. Një ushqim i mirë për portalet e shumtë të Tiranës, ndërsa reflektorët rreth emrit të ish-pedagoges së gjuhës angleze janë ndezur kohë më parë.


Prej disa muajsh, drejtuesit e mazhorancës nuk e kanë përjashtuar mundësinë, apo e kanë kultivuar me dëshirë, që shteti shqiptar të drejtohet nga një zonjë më 24 korrik 2017. Kjo ka nxitur, që në sitën e opinionit publik dhe medias të kalojnë disa emra. Më të diskutuarit kanë qenë ato të Mimi Kodhelit, Arta Dades e Valentina Leskajt. Një pjesë e medias nuk ka lënë jashtë garës edhe Monika Kryemadhin, e cila së fundmi duket më e interesuar për Elbasanin se për presidencën.


Për shkak të numrave në Kuvend dhe mjaftueshmërisë së 71 votave për të zgjedhur pasuesin e Bujar Nishanit në krye të shtetit, emri i Presidentit të ardhshëm duket se do të mbetet një çështje e brendshme e shumicës parlamentare. Pra një emër që do të bashkonte profilin e pranueshëm të një politikani, me dëshirën e Edi Ramës dhe Ilir Metës. A është e tillë Arta Dade? Në këtë pikë mund të bëhen disa arsyetime dhe konstatime.


Elton Metaj


Së pari, Partia Socialiste ka dështuar që në zgjedhjen e dy presidentëve të fundit të ketë një rol vendimtar. Sali Berisha ia ka dalë që në dhjetë vitet e fundit në zyrën nr. 1 të shtetit të mbretërojnë dy anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike dhe njerëz shumë të afërt të tij. Në momentin e zgjedhjes në vitin 2007, Bamir Topi ishte kryetar i grupit parlamentar të PD-së dhe nënkryetar i partisë, ndërsa Bujar Nishani në vitin 2012, një nga drejtuesit e lartë të saj dhe disa herë ministër. Më herët, edhe Alfred Moisiu, ndonëse i zgjedhur me konsensus, u propozua në vitin 2002 nga partitë e djathta, ndërsa kishte qenë edhe pjesë e ekzekutivit të Partisë Demokratike. I vetmi president socialist, prej largimit të Ramiz Alisë në vitin 1992, mbetet Rexhep Meidani. Profesori i njohur mori drejtimin e shtetit në vitin 1997 pas largimit të Berishës, ndonëse kishte vetëm pak kohë angazhim në selinë rozë. Për shkak të këtij historiku, Partia Socialiste mund të pretendojë me të drejtë të dërgojë një politikan të majtë në selinë e presidencës.


Së dyti, çdo president i ardhshëm duhet të marrë vulën e Ramës dhe Metës, pavarësisht zhvillimeve të fundit politike dhe protestës së opozitës. Marrëdhëniet e Arta Dades me Edi Ramën kanë patur lëkundjet e tyre gjatë katër viteve të fundit dhe ish-ministrja e qeverive të majta nuk ishte dakord me rrugën e zgjedhur nga kryeministri për rikonfirmimin si kryetar i PS-së. Megjithatë Dade nuk ndoqi rrugën e Blushit për tu larguar nga PS-ja dhe koalicioni qeverisës. Një vendim i vlerësuar edhe nga shefi i ekzekutivit. Brenda koalicionit, dashuria e Metës për Daden nuk fshihet dhe shefi i LSI-së preferon ta ketë në krah politikanen nga partia ku ai vetë militoi deri në vitin 2004. Shpeshherë në muajt e fundit, Arta Dade është shfaqur pranë Ilir Metës, për shkak të detyrës së saj si kryetare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit. E respektuar nga kryeparlamentari, Dade është treguar aktive në kontaktet ndërkombëtare dhe diplomacinë parlamentare.


Së treti, edhe për shkak të ndryshimeve kushtetuese të lidhura me reformën në drejtësi, kompetencat e Presidentit të Republikës janë kufizuar edhe më tepër, në lidhje me zhvillimet e politikës së brendshme. Prej korrikut 2016, Kreu i Shtetit nuk ka më asnjë rol në drejtimin e organeve të sistemit të drejtësisë. Megjithatë, Kushtetuta aktuale, e arnuar shpeshherë në 19 vitet e jetës së saj, i ka ruajtur Presidentit rolin përfaqësues dhe angazhimin në politikën e jashtme. Me lëvizjet e saj, ndoshta edhe jashtë fokusit të medias, Arta Dade po fuqizon pikërisht këtë profil. E paangazhuar në qeveri për shkak të zgjedhjeve të Ramës, politikania socialiste nuk ka qenë në skalionin e parë të luftës së ndezur politike. Kjo nuk e bën atë një emër të pranuar nga opozita, por i jep mundësinë të kultivojë imunitet nga akuzat e saj për çështje që lidhen me qeverisjen.


Së fundmi, të tre arsyet e mësipërme mund të mos mjaftojnë që Arta Dade ta realizojë ëndrrën e saj. Zgjedhja e Presidentit të Republikës, që duhet të nisë pas pak javësh në Kuvend, mund të ndikohet nga faktorë shtesë e të paparashikueshëm, për tu përfshirë në kompromise më të mëdhenj të politikës. Deri më tani, diçka dihet me siguri, që çështja e presidentit nuk do të jetë vetëm një punë burrash. Në një intervistë disa javë më parë, Arta Dade nuk e ka fshehur dëshirën për të marrë postin e numrit një të shtetit, ndonëse ka përjashtuar lobimin për tu bërë presidente. Por kjo nuk e pengon ta vijojë shahun që luajti edhe në Finlandë.