zhejiArtur Zheji shkruan sot se gjithë akuzat e muajve të fundit ndaj Ilir Metës, kanë qenë presion dhe shantazh ndaj këtij të fundit.


Por, sipas Zhejit, tashmë gjithçka është qartësuar pas letrës Clifford Chance.


Zheji shkruan se pas sulmit ndaj Metës, fshihen shumë gjëra.


Insinuatat ndaj Metës, kanë qenë të njëpasnjëshme dhe sot, të distancuar bollshëm në kohë, vërehet, se ishin të mirëorkestruara dhe të mirëllogaritura, për të provokuar një konflikt të plotë dhe të thellë politik, me objektiv zgjedhjet e parakohshme.


Duke filluar nga akuzat libreske dhe amatoreske, për organizim vrasjesh dhe atentate të munguara, e deri më së fundmi te çështja Cez-Dia, që me deklaratën e avokatëve të Clifford Chance, sot është shndërruar në një flluskë tjetër që plas, por që deri dje ishte një bombë e mirëfilltë, mediatike dhe politike.


Një presion dhe një shantazh i pastër. Dhe ndoshta me një faturë koncesionesh, lista dhe përmbajtja e të cilave, është për ne e padukshme. Së paku, akoma deri më sot.


Hamendësimet mediatike dhe jo vetëm, ndonëse përjetohet një periudhë qetësie, përsëri gëlojnë dhe e drejtojnë gishtin nga qeveria, apo nga vëllai-armik, ose ndryshe dhe më thjesht: nga Kryeministri.


Mirëpo, mos është edhe kjo yshtje për dyshim kryeministror, pjesë e lojës? E të njëjtës Lojë, nga e cila përfitimet, në rast të shpërthimit faktik të konfliktit, janë edhe ato të përllogaritura?


Edhe në këtë rast, është e udhës të mos ngutemi. Loja politike në Shqipëri është bërë shumë e komplikuar. Dhe shumë e djallëzuar njëkohësisht.


Pasi në mes apo përfund saj, luan një Para e Madhe. Të cilën Oligarkia e Re shqiptare, kërkon ta bëjë të vetën me çdo kusht. Shqipëria sot, mjerisht për të dhe varfërinë e saj, ka ende shumë cica që prodhojnë qumësht të shtrenjtë, e pra shumë para. Të cilat, mëndje dhe shpirtra të babëzitura nuk ngopen dhe nuk rreshtin së rrjepuri. Ngado dhe kudo të jepet rasti.


Por në kushtet e një mjegulle konfliktuale-politike, kjo bëhet edhe më e lehtë.


Nuk do të përjashtoja pra, edhe një Pistë të Tretë. Jo thjesht politike, por kryesisht Oligarkike dhe që kishte dhe ka, si qëllim, destabilizimin emocional të Shumicës aktuale dhe si pasojë, peshkimin e bollshëm në ujëra të turbullta, shkruan Zheji për gazetën Mapo.


Sipas tij, pas këtyre fakteve të fundit, Meta, por edhe diplomatët perëndimorë, duhet të flasin.


Fakti që përgënjeshtrimi i akuzës së gënjeshtërt, pati më pak jehonë se sa Insinuata kundër Metës, ka edhe ajo domethënien e vet.


Mirëpo në këtë pikë, Meta po hesht.


Është kjo padyshim një heshtje politike. Ndoshta ende në pritje që zinxhiri i fakteve reale, të zëvendësojë plotësisht zinxhirin e akuzave, duke kthjelluar pamjen edhe më shumë.


Gjithsesi Meta, e ka për detyrë, që herët a vonë, ta bëjë pronë të publikut këtë mekanizëm që prodhon kaq mjeshtërisht, intriga politike të këtij lloji, që kanë efekte të mirëfillta destabilizuese duke krijuar klimë të helmuar politike, që stopon investimet, besimin e tregut ndërkombëtar te Shqipëria dhe që prodhon varfëri dhe pasiguri, për shumicën prej nesh.


Ilir Meta duhet të hedhë dritë dhe të veprojë në mënyrë transparente dhe publike. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe trupa diplomatike e akredituar në vendin tonë, që është edhe kaq aktive, për të mirën e Shqipërisë.


Nuk mjafton që sot, pas këtyre sprovave të rënda, Ilir Meta të ndihet sot politikisht më i fortë. Duhet që edhe sistemi të çlirohet gjithmonë e më tepër, nga qelizat konspirative oligarkike, që prodhojnë këtë informacion dezinformues me pasoja të rënda për të gjithë. Vërtet çka nuk të vret, të bën më të fortë, por nga kjo forcë, duhet të dalin në dritë porcione më të mëdha të së Vërtetës, e mbyll Zheji.