18/04/2012  Trojka e ambasadorëve takim me Ramën


Debatet dhe ashpërsimi i gjuhës nga krerët e politikës shqiptare për anëtarin të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë detyruar dje ambasadorët e akredituar në vendin tonë që të zhvillojnë një takim me kryetari e opozitës Edi Rama në zyrën e këtij të fundit. Trojka e ambasadorëve, ai i BE-së Etore Sekui, i SHBA-ve Aleksandër Arvizu dhe i OSBE-së Eugen Volfart, në takimin e pasdites së djeshme me shefin e selisë rozë diskutuan mbi debatet e shumta mes dy forcave kryesore për zgjedhjen e anëtarit të ri të KLD-së dhe për përfundimin e reformës parlamentare. Ndonëse një takim me dyer të mbyllura, mësohet se në thelb të diskutimeve ishte puna për reformën zgjedhore, atë parlamentare, zgjedhja e presidentit të ri të vendit dhe ngritja e gjykatave administrative. Ndërkohë ata bënë me dije gjithashtu se sot do të zhvillojnë një takim me Kryeministrin Berisha, njëherësh dhe kreu i mazhorancës në vend. Në përfundim të takimit ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Arvizu, tha për mediet se gjatë bisedës me kryesocialistin u diskutua për Gjykatën e Lartë, progresin e reformës zgjedhore, presidentin, nacionalizmin dhe gjithë çështjet e ditës. “Ishte një takim i frytshëm. Mendoj se të gjithë ndajmë të njëjtin qëllim, që është përmirësimi i qeverisjes. Personalisht do të takoj Kryeministrin Berisha nesër. Ai më ka ftuar për drekë para vizitës në SHBA”, - u shpreh Arvizu. Më herët nga Elbasani ambasadori i OSBE-së, Volfart, kërkoi dje që zgjedhja e presidentit të bëhej duke respektuar Kushtetutën, duke shtuar se partitë duhet të siguronin një proces dinjitoz. Për reformën parlamentare ai tha se është duke u punuar në nivel ekspertësh dhe së shpejti një grup i OSBE–ODIHR-it do të jenë sërish në Tiranë për vëzhgimet e mëtejshme. Volfart tha se komisioni i posaçëm është duke punuar në mënyrë të shkëlqyer dhe se bashkëkryetarët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të arritur rezultatet. “Nuk shikoj ngërç për sa i takon reformës zgjedhore, deri tani po shoh progres”, - deklaroi paraditen e djeshme nga Elbasani ambasadori i OSBE-së.