Këtë të mërkurë ka nisur mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve për të zgjedhur përmes votës anëtarët për Këshillin e Lartë Gjyqësor.


Në garë për 6 vende janë Medi Bici, i cili do të jetë automatikisht i fituar si i propozuar nga Gjykata e Lartë; Ilir Toska, Nertina Kosova dhe Brikena Ukperaj nga gjykatat e Apeleve; Astrit Faqolli, Brunilda Kadi, Marcela Shehu dhe Dritan Hallunaj nga gjykatat e Shkallëve të Para.


Ndërkohë është tërhequr nga gara gjyqtarja Alma Brati, aktualisht gjyqtare e Shkallës së Parë në kryeqytet por dorëheqja e saj nuk ndikon në procesin e votimit, pasi ka edhe 4 kandidatë të tjerë në garë.


Gjytarët që marrin pjesë në këtë asamble janë 331 gjyqtarë. Në fjalën e saj, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se me mbledhjen e djeshme të Prokurorëve dhe kjo e sotmja e asamblesë e gjyqtarëve, është tregues se Reforma në Drejtësi ka marrë formën e duhur.


Një ditë më parë Konferenca e Prokurorisë zgjodhi 6 anëtarët prokurorë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Me ngritjen e këtyre dy institucioneve Reforma në Drejtësi shkon drejt një momenti vendimtar për drejtësi të pavarur dhe profesionale me qëllim rritjen e besimit të gjyqësorit te qytetarët.


Të pranishëm në sallë janë 331 gjyqtarë, nga 354 që kanë mbetur në sistem, pas kalimit të deritanishëm në sitën e Vetting-ut, duke plotësuar kështu kuorumin e nevojshëm.


12 dhjetor 2018 (gazeta-shqip.com)