Kategoria Superiore është rikthyer sot me takimin e parë të javës së 26, që ishte njëkohësisht edhe kryendeshja e javës, përballja mes Kukësit të vendit të dytë dhe Partizanit kryesues.


Në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës, ishin tifozët e kuq ata që dominonin në numër dhe në garën për koret mbështetëse të skuadrave respektive, ndërsa sfida nisi me lojtarët që mbanin mbishkrimin ME TY në faqe, për të dhënë një mesazh kundër dhunës ndaj grave.


Pjesa e parë u karakterizua nga një luftë mjaft e fortë në mesin e fushës, ku përveç Kukësit që kërkonte të kishte iniciativën, vihej re edhe zbritja e shpejtë e kryeqytetasve, me kundërsulme.


Gjithsesi rastet e rrezikshme ishin shumë të pakta, ndërsa kërcënimet te portierët respektivë, thuajse inekzistente, ndaj edhe pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.


Kur kishin kaluar vetëm 4 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, trajneri Ndreu vendos të hedhë në fushë kartën Reginaldo, i cili i dha një tjetër ritëm Kukësit.


Në minutën e 55-të, Valdet Rama fitoi një goditje dënimi mbi vijën e 16 metrave dhe ishte pikërisht sulmuesi nga Mozambiku, Reginaldo, që ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore, duke çuar topin në rrjetën e portierit Alban Hoxha.


Gjithsesi avantazhi duket se dehu Kukësin, që filloi të lëshojë terren, ndërsa Partizani kërcënoi për herë të parë portierin Frashëri, me një gjuajtje nga distanca të Kalarit, por topi i grushtua nga gardiani verilindor.


Vetëm pak minuta më vonë, Jasir Asani i vodhi kohën kapitenit të Kukësit, Ardian Cuculi dhe e detyroi këtë të fundit ti bëjë faull në zonë, ndërsa arbitri Jorgji akordoi 11-metërsh për Partizanin.


Penalltinë e mori përsipër ai që e fitoi, Jasir Asani, i cili gjuajti saktë dhe mposhti portierin Frashëri, duke rikthyer baraspeshën në rezultatin e takimit.

Kukësi tentoi të rizgjohej dhe të kërkonte golin e avantazhit, por përpjekjet nuk ishin rezultative dhe rrallë u kërcënua seriozisht Alban Hoxha, duke bërë që sfida të mbyllej në barazim.


Ky rezultat i shkon përshtat natyrisht Partizanit, që kur kanë mbetur edhe 10 javë nga fundi i kampionatit, vijon të ruajë diferencën prej 9 pikësh nga Kukësi i vendit të dytë dhe njëkohësisht të udhëtojë i qetë drejt titullit kampion.