Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s që të angazhojnë 4% të prodhimit të tyre vjetor (BPV) në shpenzimet ushtarake – dyfishin e objektivit aktual. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ai i ka bërë vërejtjet gjatë samitit të aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel.


Në deklaratën e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders thuhej: “Gjatë fjalimit të presidentit sot në samitin e NATO-s ai sugjeroi që vendet jo vetëm që të përmbushin angazhimin e tyre prej 2% të PBB-së së tyre për shpenzimet e mbrojtjes, por që ta rrisin atë deri në 4%. Presidenti ngriti këtë çështje të njëjtë kur ai ishte në NATO vitin e kaluar. Presidenti Trump dëshiron të shohë aleatët tanë të ndajnë më shumë barrën dhe në një minimum shumë të kënaqur detyrimet e tyre të deklaruara”.


Më herët gjatë ditës, Trump shpërtheu në kritika të ashpra ndaj Gjermaninë mbi shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe mbështetjen ndaj Rusisë, që vjen nga blerja e energjisë nga Putin.


Për dekada me radhë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, tha Trump, vendet e NATO-s kanë shkurtuar buxhetet e mbrojtjes, teksa tensionet ranë dhe tani duhet të rriten sërish në një kohë kur tensionet po shtohen në mbarë botën.


Presidentët e mëparshëm amerikanë i kanë bërë thirrje Evropës që të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe të zvogëlojë barrën e taksapaguesve të SHBA për ruajtjen e forcave në Evropë shumë kohë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë por kurrë nuk kanë qenë aq të ashpër sa Trump.


Por ndryshe nga Trump, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se fokusi kryesor duhet të jetë që të gjithë anëtarët të arrijnë objektivin aktual prej 2% të PBB-së. Jens Stoltenberg nuk pranoi ti përgjigjet pyetjeve specifike në lidhje me vërejtjet e Trump, por u tha gazetarëve se gjëja më e mirë është që po shkojmë drejt objektivit 2%”.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)