Një gol në të 96-ën minutë edhe pse barazon një ndeshje, vlen sa për një fitore dhe këtë më mirë se kushdo e di Ros Barkli që la të shtangur djajtë e Mançester Junajtid, duke i dhënë Çelsit një barazim të çmendur në Londër.


Anglezi arriti të shpëtonte Çelsin nga humbja në një ndeshje që e kishte dominuar në pjesën e parë, por vlerën e këtij goli më shumë se të tjerët duket se ndjeu asistenti i trajnerit Maurizio Sarri.


Festimi i tij ishte vërtetë prej të krisuri, pasi Marko Ianni u ngrit nga stolat në Stamford Bridge dhe vrapoi drejt pankinës së United, duke u hedhur përpjetë nga gëzimi përpara fytyrës së xhindosur të Jose Mourinhos.




Ky provokim i Iannit ishte vërtetë i rëndë për teknikun portugez që nuk i përmbajti dot nervat dhe iu vërsul Iannit, gati për ta grushtuar atë duke hyrë në tunel.


U desh ndërhyrja e rojeve të sigurisë dhe stafeve e lojëtarëve të dy ekipeve për të qetësuar situatën dhe shmangur grushtat mes Mourinhos dhe Iannit, ndërsa me Sarrin, portugezi ndau një përqafim miqësor në fund të sherrit.


Pas ndeshjes, Mourinho shprehu keqarrje për rezultatin e ndeshjes dhe vlerësoi maksimalisht djemtë e tij. Ai gjithashtu shtoi se Ianni i kishte kërkuar tashmë falje për gjestin provokues.




Mendoj se në pjesën e dytë ishim shumë mirë. kontrolluam ndeshjen dhe nuk lejuam lojtarët e tyre kyçë të futeshin në lojë. Nuk e kisha parë ndonjëherë Jorginho-n të luante aq pak dhe kjo është merita jonë. Ekipi luajti shumë mirë, individualisht e rritëm nivelin, sidomos lojtarët e sulmit. Jam shumë i kënaqur me individët, me ekipin dhe me punën që kemi bërë ditët e fundit, përveçse me rezultatin, i cili është një rezultat i tmerrshëm për ne. Për sa i përket situatës me asistentin e Sarri-t, ishte vetë Sarri ai që erdhi i pari për të më thënë se do ta zgjidhte situatën në privatësi. Më pas, asistenti i tij erdhi tek unë dhe më kërkoi falje. Unë i thashë menjëherë se nëse me të vërtetë e mendonte ashtu dhe donte të kërkonte falje, atëherë ishte i falur. Edhe unë kam bërë shumë gabime në karrierën time, kështu që patjetër që do ta pranoja faljen e tij, tha portugezi.


Por ai si gjithmonë nuk e kurseu ironinë me arbitrat, duke i bërë ata fajtor për barazimin në shtesë të Çelsit.


Shpresoj që çdo arbitër të bëjë të njëjtën gjë si Mike Dean dhe të japë gjashtë minuta shtesë. Nuk e kuptoj pse dha aq shumë, tha Mourinho.


20 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)