Pika turistike e Byshekut në komunën Shushicë prej vitesh është lënë në harresë të plotë. Megjithëse ndodhet shumë pranë qytetit të Elbasanit (rreth 16 km larg), mungesa e investimeve për 20 vite me radhë ka bërë që kjo pikë të frekuentohet fare pak ose aspak, për shkak edhe të mungesës së rrugës. Si kudo turizmi edhe në zonën e Elbasanit përbën një sektor të rëndësishëm jo vetëm për vlerën ekonomike, por edhe për atë kulturore e historike. Por aktualisht thuajse në të gjitha pikat turistike të këtij qarku, vitet e fundit turizmi nuk ka pasur zhvillimin e pritshëm. Problemi kryesor është infrastruktura rrugore. Rruga automobilistike që të çon për në pikën turistike të Byshekut është e shkatërruar tërësisht dhe ky është shkaku që gjatë viteve të fundit po braktiset si nga turistët vendas, edhe nga ata të huaj. Kreu i komunës Shushicë, Lutfi Lala deklaron se vetë komuna nuk e përballon dot ndërtimin e rrugës, pasi nuk ka fonde, ndërsa nga ana tjetër ai akuzon qeverinë se nuk ka financuar dhjetëra projekte të hartuara në 20 vite.
SITUATA
Të udhëtosh nga Elbasani për në Byshek është një torturë e vërtetë. Të duhet një kohë relativisht e gjatë për të kaluar segmentin rrugor "Kryqëzimi i Cërrikut", të cilit nuk i ka mbetur më asfalt, por që së fundi ka filluar të rikonstruktohet. Rruga që e lidh Byshekun me qytetin e Elbasanit nuk është rikonstruktuar prej kohësh dhe kjo ka shkaktuar një frenim të madh të lëvizjes së njerëzve. Dikur kjo pikë ishte e mbipopulluar nga turistët vendas dhe ata të huaj, por tani kjo i përket së kaluarës. Vitet e fundit, kjo traditë është zbehur edhe më shumë dhe banorët e zonës ndihen më të trishtuar që Busheku është tradhtuar nga vizitorët e tij të zakonshëm. Banorët e fshatrave të komunës Shushicë ku bën pjesë Bysheku shprehen të revoltuar ndaj mungesës së vëmendjes së shtetit, pasi nuk është bërë asgjë për infrastrukturën rrugore. "Nuk mund të vijnë turistët në Byshek, sepse rruga është tejet e amortizuar. Gropa pafund, baltë e pluhur gjatë gjithë rrugës, ku të shkojnë makinat?!", shprehen banorët. Për këtë shkak edhe ato pak biznese që janë ngritur në pikën turistike të Byshekut kanë falimentuar prej kohësh.
AKUZAT
Duket e pabesueshme mbizotërimi i një situate të tillë në prag të fillimit të sezonit turistik, ndërsa komuna e Shushicës në rrethin e Elbasanit prej 20 vjetësh nuk ka pasur asnjë investim në infrastrukturë, asnjë metër rrugë të shtruar. Sipas Lutfi Lalës, kryetarit të kësaj komune, dhjetëra projektet e hartuara nuk janë financuar asnjëherë. "Kemi hartuar dhjetëra projekte për këtë zonë në 20 vite me radhë dhe nuk janë financuar asnjëherë nga qeveria. Ne vetë si institucion nuk kemi fonde për infrastrukturën", ka deklaruar kryekomunari i Shushicës. Tashmë Fondi i Zhvillimit Rural ka bërë të mundur fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës prej 7 km nga qendra e komunës Shushicë deri në pikën turistike të Byshekut, por janë edhe 9 km të tjera që ta lidhin atë me Elbasanin. Gjithsesi, Bysheku me rrapet shekullore është një nga pikat historike e turistike më të bukura të Elbasanit, që ndodhet në të majtë të rrjedhës së Shkumbinit. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)