Filozofi gjerman J. G. Fichte në librin me titull “La missione del dotto”/ (Misioni i dijetarit), na paraqet pesë ese të cilat i japin shpjegim pyetjes se cili është misioni dhe roli i dijetarit në shoqëri? Cili është misioni i njeriut që të mund të quhet me të vërtetë njeri? Mirëpo së pari kjo është një pyetje që duhet ndjerë, -shprehet Fichte, ҫka nënkupton një mendje të edukuar për të kuptuar qëllimin e fundëm të eksistencës së vetë njeriut që është pikërisht harmonia e plotë e tij me vetveten. Njeriu duke e kuptuar këtë qëllim të fundëm, përpos lartësimit personal ,reflekton në shoqëri edhe dinjitetin e misionit të cilin është i thirrur të kryejë.

Në enciklpedinë filozofike Bompiani lexojme se dinjiteti është treguesi i përsosmërisë dhe superioritetit moral. Po morali si mund të përkufizohet? Morali, -ka thënë filozofi dhe meshtari shqiptar, franҫeskani Anton Harapi, është mirësia në kulmin e vet. Dijetari, shkencëtari, sipas Fichte-s duhet të jetë njeriu me moralin me të lartë në shoqëri. Një njeri i tillë që bëhet pasqyrë e mirësisë në kulmin e vet dhe që tenton përherë e më tepër t’ia arrijë perfeksionit në vlera morale do të priret gjithmonë kah lartësimit të së vërtetës. Ky është dhe misioni i njeriut që të mund të quhet me të vertetë njeri. Ai e njeh vlerën e asaj që ka thënë dhe që ka për të thënë.

Shumë vite më përpara, në periudhën e pas pamvarësisë, meshtari tjetër franҫeskan, eruditi dhe filozofi Gjon Shllaku, shkruante per Hyllin e Dritës: “Sot njeriu nuk din me folë me rruzullin, nuk din me e nderue e me e dashtë, s’ mendon tjeter veҫ me e ndertue e me e mbizotnue e qe arrsyeja per te cillen njerzimi asht i trandun e i kercnuem që në themel të kenës së vet”. Me krijimin e njeriu të ri “komunsit”, ky njeri i ri nuk diti më as të flasë, as të nderojë dhe as ta dojë më rruzullin, ose më saktë, shoqërinë ku ai jetonte.

Themelet e reja pa mend dhe pa zemer të shtetit të ri shqiptar komunist zgjodhën rrugën e lartësimit të njeriut në “kafshë pune”. E ky njeri i ri që u krijua nuk kishte lirinë e veprimit dhe të mendimit për të rizgjuar ndërgjegjen qytetare, virtytet fisnike të shqiptarit për me ecë përpara si komb. Pra populli shqiptar i vendosur në kushtet e mungesës të zhvillimit shtetëror dhe njerëzor për një periudhë shumë të gjatë kohore, edhe sot e kësaj dite trashëgon shenjat e një shoqërie “barbare” e cila gjatë periudhës së diktaturës pati humbur misjonin e saj për t’u quajtur NJERI, por që edhe sot e kësaj dite ky mision i rigjetjes së fillit të shkëputur është lënë në duart e njerëzve që s’janë të zotët e mendimit që buron vlera.

Po sjell në vëmendje një përgjigje që At Gjon Shllaku i jep një nxënësi në liceun “Illyricum”. Ishin vitet ’45 dhe idetë komuniste të një revolucioni të bukur botëror kishin filluar të fitonin nga pak ndërgjegjen e filizave të rinj. Njëri ndër ta ishte dhe një nxënës i At Gjonit. Në një orë mësimi në lice nxënësi ҫon dorën dhe fillon të flasë për revolucionin e ri botëror të paqes dhe të mirëqënies. At Gjoni pasi e dëgjoi iu pat përgjigjur: -“Ndigjò, djalë, kuptohet se për ҫka ke fole. […] Programet e premtimet janë vetëm “demagogji politike”, sepse nji fjalë e vjetër latine thotë: “vulgus vult decipi” (populli kërkon me u rrêjtë). […] Nji shfrytëzim njerëzor shndërrohet me nji shfrytëzim tjetër mâ të madh”. (Zef Pllumi, Histori kurrë e shkrueme, fq. 240)

Djaloshi kujtonte se mendonte një të vërtetë që e kishte të dëgjuar prej të tjerëve. Një mendje e shquar, njëri ndër eksponentët më të njohur të kultuës shqiptare e edukoi djaloshin me fjalët e një të vërtete të madhe. Në shkurt të vitit 1946 At Gjonin e arrestojnë po në klasën e liceut, për ta pushkatuar më pas në fillim të marsit 1946. Ky erudit i kulturës shqiptare i shkolluar për filozofi-teologji në Hollandë, me një master në Universitetin e Louven-it të Belgjikës për fiziko-kimi bëthamore dhe kibernetikë, për të vazhduar më pas me diplomën në filozofi në Sorbonë dhe së fundmi me diplomën nga Universiteti i Köln-it për gazetari, është pasqyra e dijetarit që ka parasysh filozofi gjerman Fichte.

Pyetjes se a veprojnë sot në shoqërinë shqiptare personalitete në nivelin e At Gjon Shllakut apo të At Anton Harapit për të përfaqësuar dhe për t’i dhënë jetë misionit qytetar dhe rolit të dijetarit në shoqëri, po i përgjigjemi me fjalët e vetë Patër Gjonit: “Populli kërkon me u rrêjtë. Populli kërkon të gënjehet!” Në librin “Histori kurrë e shkrueme” të At Zef Pllumbit lexojmë se At Gjon Shllaku konsiderohej si profesori më i pergatitur i Liceut Franҫekan “Illyricum”.

“Në kohën e vet thohej se ishte njeriu mâ i naltë i kulturës shqiptare. Artikujt e tij në revistën “Hylli i Dritës” banin jehonë në të gjithë vendin, natyrisht në rrethet intelektuale dhe shoqnore”- shkruan At Zef Pllumi. Ndërsa në një artikull të po At Gjon Shllakut tek “Hylli i Dritës” me titull “Problemi i njohtëjes”, At Gjoni na jep përgjigjen e pyetjes se cili lloj frymori mund të quhet njeri.

Ai pohon: “Shumica mâ e madhja e kafshëvet âsht e shtangueme në plozhtësín e kênës së vet e nuk kerkojn tjeter veҫ me ruejtë ata shka janë e shka kan; nuk priren me u naltue pertej caqevet qi u ka vû natyra e historija e nuk njeh nji zhvillim e permirësim kulturuer tjeter perveҫ atij të njij lloji frymori qi thirret njeri. Tanë lartësija e madhnija e njerit mbahet në mendim,” – sepse na thotë Anton Harapi, “sikurse nji njeri pa mend, pa zemer, âsht i dekun, ashtu nji popull pa mendues âsht i shkuem e i maruem”.
Shkrimi u botua sot Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)