Shkër***ta me kapele, nën regjinë e Kled Kapexhiut, rikthehet këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar 


Ata i bashkon dashuria (1) Ata i bashkon dashuria (2)Të rrëmbyer nga ankthi i një jete të trazuar, Xheki, Veronika, Ralf, Viktoria dhe Hulio, bëjnë të vetmen gjë që duket se i jep vërtet kuptim kësaj zhurme të pafund. Dashurojnë. Të lumtur, të fyer, të tradhtuar e të rigjetur ata mbërthehen pas njëri-tjetrit për të mos u zhdukur në terr. Një dramë urbane, një komedi e zezë, e cila bërtet qartë e shkoqur: Më mbaj! Një rrëfim i rrëmbyer mbi pesë personazhe të cilët gjenden në caqet e ekzistencës së tyre, shprehur me vërtetësinë dhe ashpërsinë e jetës së përditshme. Një histori e mrekullueshme dhe rraskapitëse mbi dashurinë, e shkruar shkoqur dhe e thënë fort me fjalën, me trupin, ngjyrat dhe tingujt e disa krijuesve skenikë të jashtëzakonshëm. Me një gjuhë skenike të kthjellët, sfiduese e të shpenguar vjen në skenë ajo që prekim me dorë çdo ditë. Me regji të Kled Kapexhiut, nën aktrimin e Marin Orhanasit, Indrit Çobanit, Eglantina Cenos, Ervin Bejlerit dhe Ina Gjoncit, me skenografi të Genc Shkodranit, kostumografi të Gerta Oparakut, muzikën e Delar Turkut, pjesa do të ngjitet sërish këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar. Sipas regjisorit, vepra është zgjedhur jo për titullin e saj, i cili është parathënie e gjuhës së folur, por për ngjarjen që ngjit në skenë dhe mundësinë që u jep krijuesve për ta rrëfyer atë nëpërmjet një akti artistik, i cili sfidon aftësitë e të gjithëve ne. Nuk duhet të mbetemi pre e etikës së përditshme për të thënë ato që nuk mund të thuhen veçse me emrat që kanë. Kjo shfaqje nuk provokon me fjalën. Dëshiron thjesht të tregojë një histori ndoshta të dëgjuar më parë, por që nuk e ka pasur mundësinë të ngjitet në skenë me një tekst të shkruar me kaq mjeshtri dhe e thënë kaq thjeshtë. Premiera e parë e kësaj pjese ka qenë në Teatrin Broadway të Gerald Schoenfeld, më 11 prill 2011. Ndërsa më 14 tetor 2011, pjesa shfaqi premierën e saj në Theaterworks, në Hartford, Connecticut. Wall Street Journal shkruante se Ajo çfarë e bën Kapelen më shumë se një farsë të shkathët është se subjekti real i z. Guirgis, shndërrohet në relativizëm moral. Ralfi, edhe pse esëll, personazh pa asnjë të metë, i cili në vend të alkoolit pi vetëm pije proteinike dhe predikon ungjillin e të Alkoolizuarve Anonimë, bën atë çfarë do. Xheki nga ana tjetër, duhet të mbajë nën kontroll impulset e tij vetëshkatërruese, por të paktën ai është i vetëdijshëm së qëllimi i të qenët esëll, nuk është të bëhet akoma më eficent në shfrytëzimin e njerëzve. Mos lejoni që titulli idiot tju pengojë. Nëse nuk shkoni, do të humbisni një nga dramat e reja më të bukura që kanë ardhur në Broadway prej kohësh. Ndërsa New York Times shkruante se drama së cilës nuk guxohet ti thuhet emri, ka shumë për të treguar. Komedia e re, vibruese dhe çuditërisht serioze e Stephen Adly Guirgis, u shfaq mbrëmjen e së hënës në teatrin Gerald Schoenfeld, me një titull që nuk mund të shtypet në shumicën e gazetave apo të përmendet në rrjetet televizive. Pjesa u prit mirë në premierën që pati një javë më parë në skenën e Teatrit Kombëtar. Kjo është një vepër për pasionin, i cili na shtyn të veprojmë, të gjejmë kush jemi dhe na tregon se për kë jemi të gatshëm të luftojmë.


Ky shkrim Ata i bashkon dashuria u publikua me pare te Gazeta SHQIP.