NJË VËZHGIM HISTORIK


Në fillim ata ishin dy. Me një të kaluar thuajse të ngjashme plot me tituj, ndere e grada. Të dy kishin qenë besnikë të një kampi, tashmë të shpërbërë. Shqipëria sapo kishte dalë nga një epokë e errët. Vendi dukej si shtëpi e rrënuar që duhej rimëkëmbur. Dhe ata, si dy arkitektë, qëndronin përpara rrënojës, me bazën materiale pranë, por pa mjete dhe pa një plan të qartë.


Dhe kështu të hutuar, filluan të grindeshin e të fajësonin njëri-tjetrin. Të dy përpiqeshin të krijonin një situatë të nderë. Nuk dihej nëse e bënin këtë për zhurmë a për të fituar famë apo për t’ia nxirë jetën njëri-tjetrit.


Të gjitha këto, ndiqeshin me dhimbje si brenda dhe jashtë. Të zhgënjyer tani njerëzit ndjeheshin gjithashtu të lodhur dhe të gjithë thoshin: "Të përjashtohen përgjithmonë nga pjesëmarrja në çështjet e kombit. Për sa kohë që ishin në krye, asgjë e mirë nuk mund të pritej prej tyre".


Që të dy, dikur, kishin qenë njerëz të mëdhenj. I pari e kishte nxjerrë vendin nga sundimi e robëria në epokën e re, ndërsa tjetri kishte pronë një kryeqytet dhe gjithmonë kishte ëndërruar të bëhej mbret, me hir a pahir.


Por historianët thonë se në këtë mes ndodhej edhe një i tretë, i cili grindej jo për post a as për shtet, por donte një pjesë, dhe Republikë e shpalli krahinën e tij. Kur e pyetën, “Pse e bëre?”, ai qeshi e tha: “Në doni një Shqipëri të bashkuar, na vrisni të treve”.


M.E.Durham tregon se gjatë një darke të shtruar nga Princ Vidi, më 1914, në Durrës, Prenk Pasha apo Prenk Bibë Doda, kreu i Mirditës, duke iu uruar mirëseardhjen Princit, i tha atij me shaka; “Nëse doni që të keni një Shqipëri të bashkuar, ju duhet të vrisni Ismail Qemalin dhe Esad Pashën, por mos më harroni mua”. Zakonisht, fjalë të tilla i merr era, por…


Ismail Qemali vdiq në Peruxha të Italisë, më 1919. Thuhet se ai u helmua, por ngjarja nuk është zbardhur kurrë. Esad Pashë Toptani u vra në Paris, më 1920. Atentatori, Avni Rustemi u kap, u gjykua dhe u shpall i pafajshëm. Si për të plotësuar profecinë e vet, edhe Prenk Bibë Doda vdiq më 1920. Ai u vra në pritë... Kreu i Mirditës nuk kishte djem, dhe vendin e zuri Marka Gjoni, i cili gëzonte simpatinë e Francës.


Ndërkohë, vetëm pak vite kishin kaluar nga shpallja e Pavarësisë dhe vendi për herë të parë ndjehej i lehtësuar. Ishte 1920, viti i Kongresit të Lushnjës, zhvillim i cilësuar si pavarësia e dytë e Shqipërisë.