25-07-2013 / Nga Rexhep Shahu

Ata që kanë qenë në vorbull, në grumbull ose përreth gardhit kur u formua PD, ata që e lëpinë e molën e rropën e puthën e kafshuan e shqyen e shkërdhyen, ata që u pasuruan prej saj duke shaluar shpesh poste për shkak të servilizmit dhe lehjes së padurueshme, ata që u bënë dikushi pa qenë askushi, ata që e shaluan PD sa herë ajo  ishte në pushtet dhe e shtynë drejt zhbërjes dhe e tradhtuan sa herë ajo ra nga pushteti, ata që nuk dinë se ku e kanë teserën e PD sepse kanë dy-tre a katër tesera partish të ndryshme, ata që u bënë spiunë, sharlatanë, sekserë në pushtete të tjera, ata që nuk dinë të jetojnë pa pushtet, pa përfitime, pa rryshfete e ndërmjetësime rryshfetesh, ata që ju vjen turp prej emrit e mbiemrit te tyre dhe ndërrojnë emra e mbiemra dhe ndërrojnë edhe emrat e baballarëve të tyre, (pse bëni sikur nuk e dini se kush ka ndërruar emrin e mbiemrin apo emrin e babës apo origjinën…, hë mor pse bëni sikur nuk e dini? Po ju që i keni ndërruar për t’u fshehur apo maskuar, pse nuk tregoni dhe gënjeni veten sikur nuk e din askush frikën tuaj prej identitetit tuaj? E di njerzia e di për ju emra e mbiemra ndërrues…), ata që edhe pse jetojnë larg, shumë larg atdheut dhe hiqen se e dinë më mirë se sa e di luga se çfarë ka vorba, ata që urrejnë të suksesshmit e pazhurmshëm që s’rendin të mbushin duart me privilegje dhe të fusin turinjtë në tortën e pushtetit, ata që nuk dinë të ngihen kurrë, që nuk dinë kurrë të thonë boll, që nuk dinë kurrë të falenderojnë që nuk dinë kurrë të jenë mirënjohës, ata që tremben nga vetja e tyre, nga bëmat e tyre të shëmtuara, ata që u shëmtuan nëpër burgje dhe kanë harruar vuajtjen por shëmtinë nuk e harrojnë dot kurrë se vetja e tyre e shëmtuar u del parasysh orë e çast, ata pra ose këta pra quhen përçarës që do të ndjeheshin mirë vetëm nëse shuhet PD që ata sërish të rrinin rreth gardhit kur të krijohej një opozitë e re, pasi opozitë do të ketë domosdo në këtë vendin tonë të lirë...
     Kulmi i guximit të verës politike/Deri këto ditët e fundit kam dëgjuar shpesh deklaronjës të shumtë që me kurajo kanë thënë se e kanë themeluar Partinë Demokratike. Pastaj ia kanë thye tjegullat me gurë inati. A është e mundur që ai që ndërton shtëpinë vetë t’ia thejë tjegullat apo ta djegë shtëpinë që ka ndërtue vetë. Sa shumë themelonjës mor aman. Sipas vetë petritave të PD, na del se PD-në e kanë themeluar jo 200 por mbi 2000 petrita…
Ma shënoni dhe mua emrin si themelonjës se nuk bëhet kiameti për një emër më shumë në listën e atyre që kanë pasë qejf të ishin themelues pasi të themelohej...
Të jesh te gardhi i themeluesve të Partisë Demokratike, të vetëshpallesh themelues ani se nuk e ke firmën te akti sepse pate dalë me ble cigare…, ta shalosh PD me dhe pa samar a shalë, ta këpusësh në kërbishte me peshën e rëndë të abuzimeve dhe poshtërsive të tua, t’ia bësh nënën PD, të bëhesh i madh në PD dhe të ulësh si i babëzitur në sofrën e parë të saj e të hash me të dyja duart, me të dyja anët e nofullave a bulqive si i babëzitur, të ikësh nga PD dhe të shalosh gomar për kalë se PD më në fund t’u vjell dhe ti nuk bën pa hypë në kurriz të dikujt, të të hedhë gomari nga samari dhe të të thyjë brinjët se është e keqe rënia nga gomari, të ngrihesh dhe të sulesh prapë për ta shaluar PD pasi e ke këputë në kërbishte me zullumet e tua, nga lakmia për kohën tënde të artë kur PD të bëri dikush në këtë vend nga askush në katundin tënd, nga uria për para e pasuri që ia more si hajn zgjebarak pushtetit të PD dhe mendon se nuk e di askush se sa e çfarë ke vjedhë e përfituar në mënyrë abuzive, tani të hash gishtat e tu; pra të kesh guxim përsëri të bëhesh i pare, të vish nga barku I kalit për tu bërë I pari në PD, apo të ulesh sërish në sofrën e parë të PD, ky është kulmi i guximit dhe poshtrimit të kësaj vere politike…
Siç thonë për klishenë e magjypit (popullit i falen klishetë me përgjithësime). Magjypi pasi lypi bukë e strehë për një natë, dhe vari xhaketën në një gozhdë, i tha pas ca ditësh të zotit të shtëpisë i cili e sajdiste magjypin, që të dilte nga shtëpia, sepse tashmë shtëpia ishte bërë e magjypit. Kështu bëri magjypi…
Hienat hanë kufoma, ushqehen me kufoma/A do të ndalet ndonjë ditë kafshimi i kufomave të heronjve nga hienat që i konsiderojnë heronj vetëm pjesëtarët e familjeve apo fisit të tyre, pra a do të heqim dorë nga gradimet e marrja e meritave në mënyrë të padrejtë dhe nuk do ta konsiderojmë meritë faktin që filan apo fistek hero është nga familja ime, nga fisi apo farefisi im.
Na e morën fytyrën ata që lëpijnë e kafshojnë heronj dhe i shalojnë gomerët e vathës së tyre dhe u rren mendja se kanë shaluar kuaj e lavdisë.
Ia morën shpirtin heroit. I vënë këmbët në supet e tij sa herë ndjehen pa vëmendje dhe pëllasin që ti dëgjojë e shohë njerzia. Kërkojnë t’ua marrin të gjallëve taksën për bëmat e heroit të familjes, pasi njerzia nuk e di që është hero i familjes.
E ndjej se aq shumë është mërzitë heroi sa është gati me dalë prej fotografie dhe me i vra të afërmit e tij që i shkojnë pranë dhe lëpijnë e hanë kockat e tij si qentë e udhëve, që ia këputën shpatullat duke vënë këmbët në supet e tij.
Heroi është gati me shpërthye e me dalë prej mermerit sepse nuk po duron dot më pshurrjet e përmjerrjet që ia bëjnë te këmbët e në qafë të afërmit dhe farefisi i tij. Pasi verës, i vjen edhe më shumë erë e keqe e shurrës…

...