Nga Adriatik Kelmendi


DY ZYRTARË KOSOVARË qëllojnë në pikën kufitare të Jarinjës kur vandalë serbë shkatërrojnë dhe djegin gjithë objektet aty. Natyrshëm të frikësuar, për jetët e tyre dhe për invadimin serb drejt Kosovës, njëri pyet tjetrin:


Çka të bëjmë?!


Ta lajmërojmë Ambasadën Amerikane.


Nuk e di se a ka ndodhur vërtet kjo ngjarje ose jo. Mirëpo, besoj se fare edhe nuk ka rëndësi. E rrëfyer shumë në formë barsolete pas ngjarjeve të korrikut në veri, ajo përshkruan mrekullisht shqiptarin e Kosovës sot.


Shqiptari kur e ka punën ngushtë, besimin më të madh e ka tek Amerika. Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I beson shpesh edhe më shumë se vetes, e edhe se qeverisë së vet.


E mund të them me të drejtë. Shumë të drejtë. SHBA-ja, që nga fillimi i shekullit të kaluar, e duke arritur zenitin me intervenimin e NATO-s për Kosovën e duke u kurorëzuar me pavarësinë e shpallur dhe ndihmën për zhvillimin e shtetit ka qenë pa asnjë dyshim: shpëtimtarja e shqiptarëve dhe e Kosovës.


Pa angazhimin amerikan, besoj fuqishëm, vështirë se sot do të ishim të lirë, ose se do të kishim shtet.


Së këndejmi, edhe barsoleta tjetër simpatike: Duaje vendin tënd, si shqiptarët Amerikën!.


SI SHPJEGOHEN, PRA, rastet e arrestimit të shqiptarëve me akuza për tentim të kryerjes së akteve terroriste kundër amerikanëve ose interesave amerikane?! Si shpjegohet një turp i këtillë, një vegjëli e tillë njerëzore, bubrrecllëk i gërditshëm, e qyqarllëk i gjorë?! Ky që do të mund të ishte mazohizëm, por nuk është i tillë!


Rasti më i fundit duke qenë ai i Sami Osmankaçit, me prejardhje nga Lubizhda e Prizrenit, i cili u arrestua të shtunën me dyshimet se është përfshirë në organizimin e sulmeve në vende ku tubohen shumë njerëz, siç janë klubet e natës, në Tampa të Floridas. FBI-ja ka njoftuar se ai ishte kapur pasi që kishte blerë mjete shpërthyese dhe armë nga një agjent i maskuar si diler.


E para tij ishin faqezinjtë e tjerë: Arid Uka, Betim Tërziu, Sherif Hyseni, kushërinjtë Duka…


Të gjithë këta kanë vetëm diçka të përbashkët, e që nuk besoj të jetë as islami, e as shqiptaria. Ata kanë të përbashkët çmendurinë! Mendje të turbulluara, viktima të terroristëve, që thirren në emër të fesë.


E para, të gjitha fetë mbizotëruese janë të bazuara në doktrinën e paqes, njësoj siç është edhe islami. Ata që devijojnë nga kjo doktrinë, dhe e përdorin dhunën në emër të fesë, nuk janë gjë tjetër vetëm se vrasës terroristë.


E dyta, pa qenë fare folkloro-patriotik, shqiptarët mund të thonë se kanë plot të meta, veçse terroristë nuk kanë qenë kurrë.


Ca shembuj të shpejtë: ka rreth një shekull të marrëdhënieve armiqësore me serbët dhe në asnjë rast të vetëm nuk ka një shqiptar që ka shkuar të kryejë ndonjë akt terrorist në Serbi, kundër popullatës serbe.


Vetë, lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës mbahet me plot të drejtë si një ndër luftërat me të pastra që ka zhvilluar ndonjë formacion i atillë, duke operuar në vende ku ka pasur lehtë qasje në popullatë civile serbe. Në kohë konflikti e masakrash të forcave serbe do të mund të shkaktoheshin me dhjetëra masakra të mëdha si kundërpërgjigje. Por nuk kanë ndodhur. Pasi që terrorizmi nuk flet shqip.


PSE THASHË QË ky do të duhej të ishte mazohizëm, por nuk është i tillë. Logjikisht, nëse je kundër SHBA-së, një shqiptar do të duhej të ishte kundër vetvetes. Por, të lartpërmendurit, shumëçka mund të jenë, veçse shqiptarë jo. Ata që synojnë të vrasin me akte terroriste si këto nuk mund të kenë as fe, as etni e kombësi. Ata janë vetëm turp!


Turpi i njerëzimit!


P.S.: Thank you, U.S.A.! Once again. And always!