Gilmando Dani, fotografi e policisë së Tiranës, pas shoqërimit në komisariat


Plagoset me armë pranë banesës së tij Gilmando Dani, i njohur në Tiranë si mik i Emiljano Shullazit.Sipas Policisë, 33-vjeçari i arrestuar dy herë më parë në kryeqytet është qëlluar dy herë me armë, por ka marrë vetëm një plumb në këmbë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30, në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, në afërsi të banesës së Gilmando Danit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për zbardhjen e plagosjes së personazhit që njihet për disa precedentë penalë në Tiranë. Grupi i hetimit i Policisë së kryeqytetit ka mbledhur provat në vendin e ngjarjes dhe krahas kësaj ka bërë transportimin e të plagosurit në spital për ndihmë mjekësore. Gilmando Dani mësohet se ka marrë një plumb në këmbë, por ndodhet në gjendje pa rrezik për jetën. Mbrëmë rreth mesnatës ai është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, duke pohuar se i është bërë atentat në lagjen ku banon. Mësohet se i plagosuri ka shpjeguar se po kthehej në banesën e tij në zonën e “21 Dhjetorit” kur një makinë i është afruar fare pranë dhe nga brenda saj është qëlluar me armë. Gilmando Dani ka pohuar në dëshminë e tij se nuk ka arritur të fiksojë targën e automjetit apo personat që e qëlluan me armë për shkak se sapo ka marrë plumbin është rrëzuar përtokë. Policia tha mbrëmë se po heton disa versione mbi ngjarjen, duke përjashtuar sherrin e momentit.

Personazhi

Gilmando Dani, 33 vjeç, ndonëse nuk ka mbi supe akuza të rënda nga policia, gjithnjë është konsideruar si person me precedentë penalë për shkak të ekspozimit të tij të përsëritur në episode të përbashkëta me Emiljano Shullazin. Po kështu, banesa e Gilmando Danit u kontrollua në gusht 2009, pas vrasjes së katër efektivave të policisë në Durrës nga Dritan Dajti. Kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se 33-vjeçari ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit. Në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit. Po kështu, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin. Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”. Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate. gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi pesë vjet më parë një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.


 


TRAZHGIM SOKOLAJ