Një sulmues vetëvrasës ka vrarë pesë komandant të Gardës elite Revolucionare të Iranit, si dhe 15 persona tjerë në juglindje të Iranit, rajon ky i cili ka qenë qendër e kryengritjes suite, kanë njoftuar sot mediet iraniane.



Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se në mesin e të vrarëve janë zëvendëskomandanti i forcave tokësore të Gardës, gjenerali Noor Ali Shooshtari, si dhe komandanti kryesor i Gardës në rajonin që u ndërmor sulmi, Rajab Ali Mohammadazadeh. Të vdekurit tjerë ishin pjesëtarë të Gardës dhe udhëheqës të fiseve lokale, ndërsa me dhjetëra persona tjerë janë lënduar si pasojë e sulmit.



Komandantët e Gardës kanë qenë brenda një automjeti dhe ishin nisur për të marrë pjesë në takimin me udhëheqësit e fiseve lokale në qarkun Pishin, në afërsi të brezit kufitar të Iranit me Pakistanin, në momentin kur sulmuesi vetëvrasës hodhi vetën në ajër.



Fillimisht, askush nuk mori përsipër përgjegjësinë për këtë sulm, por ky rajon në juglindje të Iranit edhe në të kaluarën ka përjetuar sulme të dhunshme të ndërmarra nga militantët nga radhët e komunitetit pakicë sunit. Në këtë rajon vepron organizata suite, Jundullah, e cila gjatë viteve të fundit ka udhëhequr një kryengritje të nivelit të ulët.



Garda Revolucionare për sulmin e sotëm fajësoi arrogancën globale, një referencë kjo për SHBA-në.



Arroganca globale, nëpërmjet provokimeve të bëra nga mercenaret e saj lokalë, ka vënë në shënjestër takimin e pjesëtarëve të Gardës me udhëheqësit e fiseve lokale, u theksua në kumtesën e Gardës.