Tiranë- Dëshmia e Gilmando Danit rreth atentatit të së shtunës i ka detyruar hetuesit e çështjes të ndjekin një pistë të njohur: atë të lidhjeve me Emiljano Shullazin apo Dritan Dajtin. Kjo për faktin se 33-vjeçari i plagosur nuk ka dhënë shumë detaje rreth personave që e ndoqën me makinë, deri te garazhi i shtëpisë dhe zbrazën mbi 12 plumba në drejtim të tij. “Isha duke hapur garazhin, për të futur makinën. Kam parë vetëm një makinë që është afruar aty, nga është qëlluar shumë herë në drejtimin tim”, - ka treguar Dani nga Spitali Ushtarak, ku po kurohet për plagën e marrë në këmbë. Pyetjes nëse e njihte personin që e qëlloi, Dani i është përgjigjur fare shkurt, pa lënë vend për dyshime të reja. “Nuk kam fiksuar asgjë, pasi ishte errësira dhe u plagosa”, - mësohet të ketë thënë ai para grupit hetimor. Të vakëta kanë qenë edhe dëshmitë e personave që ndodheshin rastësisht pranë shtëpisë së Gilmando Danit, në afërsi të 21 Dhjetorit, prej të cilëve nuk ka dalë asnjë e dhënë që mund t’i siguronte policisë një pistë të sigurt për këtë ngjarje. “Kemi marrë në pyetje banorë të zonës dhe dëshmitarë rastësorë, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të identifikojë autorin e kësaj ngjarjeje”, - i tha MAPO-s një burim i policisë së Tiranës. Dëshmitarët e shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.2 kanë pohuar se kishin dëgjuar një breshëri të shtënash, të cilat kanë shkaktuar panik në zonë. Megjithatë, ata nuk kanë mundur të shquajnë targat e makinës së atentatorit, apo vetë personin që qëlloi në drejtim të Gilmando Danit. Në këto rrethana, hetimet për këtë ngjarje i janë nënshtruar një fati të ditur, që lidhet me të kaluarën e 33-vjeçarit të plagosur. Gilmando Dani është i njohur si personazh i kronikës së zezë të Tiranës, edhe pse ndaj tij nuk është faktuar ndonjë precedent i rëndë në të shkuarën. I vetmi arrestim i tij është realizuar më 11 shkurt të vitit 2006, kur u prangos së bashku me Emiljano Shullazin dhe Dritan Haten, pas bllokimit të një arsenali të vërtetë armësh e pajisjesh policie. Më pas, emri i tij ka qarkulluar shpesh në skedarët e policisë, ku precedenti më i rëndësishëm ka qenë shoqërimi pas masakrës së Durrësit, kur u hodhën dyshime se ai mund të ishte një bashkëpunëtor i Dritan Dajtit. Hetimet e mëtejshme të policisë nuk faktuan asnjërën prej këtyre akuzave dhe e vetmja masë e marrë asokohe ndaj Danit ka qenë bllokimi i përkohshëm i pasaportës. Vazhdimësia e lidhjeve të tij me Emiljano Shullazin u faktua edhe gjatë fushatës elektorale, kur Dani u shoqërua sërish në ambientet e policisë, si i dyshuar në prishjen e një mitingu të Partisë Socialiste në njësinë nr.7 në kryeqytet.