5 minutat më të çmendura të karrierës së Kevin Gameiros te Atletiko i dhuruan skuadrës së los colchoneros një fitore të thellë 4-1 në transfertë ndaj Gijonit duke mbajtur në valle skuadrën e Simeones për vendin e katërt.


Sulmuesi francez, në 4:52 sekonda shënoi 3 golëshin e dytë më të shpejtë në historinë e La Liga-s pas brazilianit Bebeto dhe këtë e bëri në minutat e fundit kur presioni për rezultatin ndihet më shumë se kurrë.


Ndeshja në El Molinon ishte e mërzitshme në pjesën e parë por në të dytën goli i Carrascos që në fillim ndezi sfidën.


Gjithsesi vendasit barazuan shumë shpejt me Alvarezin që shënoi në të 49-tën. Në nevojë për pikë, formacioni i Rubit rezistoi deri në 80-tën kur Gameiro i dha sërish epërsinë Atletikos, përpara se të shënonte dhe dy herë të tjera deri në të 85-tën duke bërë që Atletiko të ruajë dhe për këtë javë vendin e katërt në klasifikim.


18 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)