Ka përfunduar pa fitues ndeshja më interesante e javës së parë në Primera Division, ajo mes Valencias dhe Atletico Madridit, e luajtur sonte në orën 20:00. Në Mestalla ishte pikërisht skuadra e Simeones që mori lojën nën kontroll dhe gjeti golin e epërsisë në minutën e 26, me anë të Angel Correas.


Argjentinasi përfitoi nga një pasim fantastik i Antoinne Griezmann dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë duke mposhtur portierin Neto.


Valencia arriti të reagojë në pjesën e dytë, teksa barazoi shifrat në 1-1, në minutën e 56, kur sulmuesi spanjoll Rodrigo, mposhti Oblak dhe dërgoi topin në rrjetë.


Minutat në vijim sollën raste për të dy skuadrat, por asnjë prej lojtarëve nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë dhe të ndryshojë fatet e ndeshjes, ndërsa barazimi duket se la të kënaqur të dy skuadrat, në këtë debutim sezonal.


20 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)