Nga akuzues tani është kthyer në i akuzuar nga drejtësia. Albert Veliu, i njohur në opinionin publik si Babalja që deklaroi se kishte bërë një bisedë me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm për të siguruar drogë, tani është një person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për akuzën e kallzimit të rremë.


Audiopërgjimi i denoncuar në media rezultoi i rremë, pasi, sipas prokurorisë, Babalja nuk e ka zhvilluar bisedën me Agron Xhafajn, por me Fredi Alizotin, i cili ka imituar Agron Xhafajn në këtë regjistrim.


Edhe pse dihet që Babalja ka kërkuar azil në Kosovë, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të respektojë procedurat standarte të kërkimit të tij. Burime pranë organit të akuzës janë shprehur se Babalja do të shpallet fillimisht në kërkim kombëtar. Vetëm pasi Policia e Shtetit të konsumojë kërkimin brenda territorit të vendit dhe të referojë pranë prokurorisë faktin që nuk gjendet në vend, atëherë do të bëhet shpallja e Albert Veliut ose Babales në kërkim ndërkombëtar.


Pas këtij moment pritet të fillojnë procedurat për ekstradimin e tij. Këto procedura, sipas të njëjtave burime, nuk do të thotë që autoritetet kosovare të mos ta mbajnë nën vëzhgim Albert Veliun, pasi ndaj tij është lëshuar një fletë-arresti nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ky fakt i është bërë i njohur edhe Prishtinës. Gjithashtu, kjo çështje ku janë tre persona të akuzuar, Albert Veliu, imituesi Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi pritet ti kalojë për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, pasi ajo e Krimeve të Rënda nuk e ka në juridiksionin e saj hetimin e veprës penale të kallzimit të rremë.


7 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)