Imazhe të Shqipërisë së viteve 90-të, ku kaosi i ndryshimit lexohet në fytyrat  njerëzve të fotografuar, po lëvizin të stampuara në autobusët e linjës së Kombinatit, në kryeqytet. Një zgjedhje kjo për të treguar historinë e një kohe që është pjesë e secilit prej nesh.


Kjo, pasi fotografitë e gjermanit Robert Pichler, i cili e ka fotografuar atë periudhë kanë si moto të tyre lëvizjen. Ekspozita Kthim në kohë-Shqipëria e viteve 90-të, e nisi udhëtimin e saj me autobus dhe u inagurua fillimisht në stacionin e autobusëve të zonës së veriut në Tiranë 18 muaj më parë. Tashmë kthehet në Muzeun Historik Kombëtar më 24 janar.







Autobusët e linjës Tiranë-Bajram Curri, veshur me fotografitë e Robert Pichler, u përcollën me ceremoni dhe u pritën me tupanë e lodër si mysafirë nderi në hyrje të Muzeut Historik të Bajram Currit në Tropojë dhe brenda tij pjesa më e madhe e fotografive qëndruan të ekspozuara deri në muajin shkurt 2018.


Nga Tropoja, duke vazhduar udhëtimin e shtuar me fotografi të tjera, të marra në rajonin e Shkodrës në vitet `90-të, ekspozita mbërriti në Galerinë e Artit Shkodër. Nga Veriu i Shqipërisë, në prill 2018 ekspozita e shtuar me fotografi të tjera të rajonit të Vlorës mbërriti në Pallatin e Kulturës Labëria, në Vlorë dhe pas një ndalese të shkurtër në Qendrën Kulturore të Këlcyrës, e më shumë se prej 7 muajsh qëndrimi në Muzeun Kadare të qytetit të Gjirokastrës, tashmë ekspozita mbërrin në Tiranë, për të përfunduar rrugëtimin e saj tek Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë.


Duke marrë parasysh rikthimin në kohë që evokojnë këto foto, gjithashtu ftesën për t`u pozicionuar përkohshëm midis së tashmes dhe së dikurshmes, lindi ideja e krijimit të një ekspozite lëvizëse, paralelisht me ekspozitën e instaluar në ambientet e galerisë apo muzeut të qyteteve pritëse


Autobusi I linjës Kombinat-Kinostudio veshur me fotografitë e ekspozitës sonë do ti bashkohet koleksionit Kthim në kohë-Shqipëria e viteve 90-të, në versionin e saj -ekspozitë në lëvizje, ku ashtu sikur edhe në qytetet e tjera disa nga autobusët e linjës, veshur me fotografit ë e Robertit ende I ndesh në rrugët e qytetit të Vlorës, Shkodrës , Gjirokastrës dhe Tropojës -duke mbajtur në bark të tyre udhëtarët e së tashmes dhe mbi kurriz dëshmitë e Shqipërisë së atëhershme.


Robert Pichler është historian e fotograf. Fushat kryesore të kërkimit të tij janë, familja dhe marrëdhëniet farefisnore, migrimi dhe transnacionalizmi, si edhe historia politike e shek 19-të dhe 20-të në Europen Juglindore. Ai është momentalisht studiues në departamentin e studimeve ballkanike në Akademinë e Shkencave në Vienë si edhe pedagog në Qëndrën e Studimeve të Europës Juglindore në Grac.


Gazeta Shqip