18/04/2012  Zëvendësohet Seseri, KQZ-ja miratoi dje emrin e Edison Konomit si deputeti i 66-të i PS-së


PS: Kodi flet për kryetarët e bashkive, jo për anëtarë të këshillave


Partia Socialiste nuk ia ka dalë dot “të detyrojë” Edison Konomin në kohë që të heqë dorë nga mandate i tij si anëtar i këshillit të Bashkisë së Durrësit, që t’i hapte legjitimitetit të mandatit të dytë të dorëzuar dje nga KQZ-ja si deputet i PS-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh dje për të zëvendësuar vendin e mbetur bosh në Kuvend nga deputetja socialiste Rudina Seseri me kolegun e saj në listë Edison Konomi. Ashtu siç njoftoi një ditë më parë, KQZ-ja bëri zëvendësimin e kandidatëve duke iu referuar listës së socialistëve të zgjedhjeve të qershorit 2009, ku fillimisht miratoi raportin e Kuvendit, duke pranuar kështu dorëheqjen e Gjon Bardhit nga mandati i deputetit, dhe me 6 vota pro i dha të drejtën kandidatit të shtatë në listën shumemërore të PS-së në qarkun e Durrësit, Edison Konomit, të jetë deputet në vend të Rudina Seserit. Gazeta “Metropol” një ditë më parë njoftoi se PS-ja mund të përsërisë precedentin e ndodhur pak ditë më parë me Gjon Bardhin, emrin e të cilit nuk e kishte hequr nga lista e 2009-s për deputet në kohën kur ai u mandatua si kryetar bashkie në zgjedhjet e 8 majit të vitit të kaluar, gjë që solli akuza dhe kundërakuza nga kampet respektive, ku opozita akuzoi mazhorancën për vjedhje mandatesh. Zyrtarë të KQZ-së u shprehën dje se Konomi duhet ta paraqiste dorëheqjen e tij që të premten, një ditë pas miratimit të raportit të Këshillit të Mandateve nga Kuvendi, dhe jo ta linte këtë çështje pezull, duke demonstruar në këtë mënyrë se të gjitha hamendësimet për vjedhje mandatesh ishin vetëm halucinacione të opozitës. “Askush nuk e pengoi Partinë Socialiste të bënte dorëzimin e mandatit të anëtarit në këshillin bashkiak të Durrësit”, - thanë dje përfaqësuesit e mazhorancës në KQZ. I pyetur në lidhje me këtë problem, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Saliani, pranoi faktin se Konomi nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandatin i tij, duke premtuar se sot (dje) ai do të bëjë këtë. “Kushtetuta përcakton se nuk mund të njihen deputetë vetëm kryetarët e bashkive. Në rastin konkret personi nuk ka garuar për kryebashkiak apo kryetar komune. Sot do ta japë Konomi dorëheqjen, po përveç kësaj nuk ka papajtueshmëri të mandatit të tij në KQZ”, - tha Saliani.


Justifikimi


Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, duke justifikuar veprimin e forcës politike që ai përfaqëson, u shpreh se “Kushtetuta përcakton se nuk mund të njihen deputetë vetëm kryetarët e bashkive. Në rastin konkret personi nuk ka garuar për kryebashkiak apo kryetar komune. Sot do ta japë Konomi dorëheqjen, po përveç kësaj nuk ka papajtueshmëri të mandatit të tij në KQZ. Neni 69 i Kodit Zgjedhor e sqaron më së miri këtë çështje, ndaj nuk ka nevojë që të komentohet një gjë e tillë”, - tha Saliani.


Vendimi i KQZ-së


“Vendosim t’i japim mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kandidatit të radhës në listën shumemërore të PS-së të qarkut të Durrësit, zotit Edison Konomi”, - tha kryetari i KQZ-së, Ristani. Tani do të jetë sërish Këshilli i Mandateve që do të shqyrtojë vendimin që Edison Konomi të jetë apo jo deputet. Do të jetë ky Këshill që do të gjykojë nëse do të pranojë dorëheqjen e Konomit nga posti aktual që mban në këshillin bashkiak të Durrësit apo do të ketë ripërsëritje të fenomenit që ndodhi me rastin e Bardhit.