31/03/2009  Libri shqip do të jetë i pranishëm në çdo bibliotekë të Torinos nëpërmjet seksioneve të veçanta. Por jo vetëm kaq. Rreth 110 tituj të autorëve më të mirë të letërsisë dhe publicistikës klasike shqipe, si Naim Frashëri, Fan Noli, Gjergj Fishta, Faik Konica, Migjeni, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci etj, por dhe të autorëve bashkëkohorë, si Kadare, Agolli, Kongoli, Zhiti, Spanjolli, Dones, Hatibi e Ahmeti do të jenë të pranishëm në raftet dhe sallat e leximit të 14 bibliotekave të Torinos.


Një nismë e tillë është ideuar dhe realizuar nga shoqata “Vatra” në kuadër të projektit “Via Egnatia - Passaggio a Est”.


Kështu, fondi i librave në gjuhën shqipe në këtë pjesë të Italisë, në mbi 1200 libra, është edhe një nga vitrinat më të mëdha të librit shqip jashtë territoreve të banuara nga


shqiptarët.


Në këtë kuadër të këtij projekti është menduar të prezantohet gjithashtu edhe një libër i një autoreje të re shqiptare,“Rosso come una sposa”, i Anilda Ibrahimit. Prezantimi i librit do të bëhet të enjten, më 2 prill, në bibliotekën “Italo Calvino” në Lungo Dora Agrigento 94, po në qytetin e Torinos. Në këtë mbrëmje, ku hyrja do të jetë e lirë, do të marrin pjesë Fiorenzo Alfieri, asesor i kulturës në bashkinë e Torinos, Ilda Curti, asesore e integrimit në bashkinë e Torinos, Paolo Messina, drejtor i përgjithshëm i bibliotekave të Torinos dhe Benko Gjata,


korrespondent i ATSH-së në Itali. Prezantimi i librit do të pasurohet nga leximi i pjesëve të zgjedhura të romanit, të shoqëruara me muzikë klasike nga Haydn, Moxart dhe Jakova, të ekzekutuara nga kuarteti “Eklips”, i përbërë nga muzikantë të rinj profesionistë shqiptarë dhe italianë (Leonard Simaku dhe Elton Tola - violinë; Eriola Gripshi - violë; Matilda Colliard - violonçel). Në fund të takimit shoqata “Vatra” ka organizuar edhe një koktej me specialitete të traditës gastronomike shqiptare të shoqëruara me verëra të zgjedhura piemonteze. Ky event i propozuar nga shoqata kulturore italo-shqiptare “Vatra” është realizuar me mbështetjen e ambasadës shqiptare në Romë, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit si dhe të zyrës së përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.


Anilda Ibrahimi


Ka lindur në Vlorë në vitin 1972. Ka frekuentuar


Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas, në vitin 1993, është larguar nga Shqipëria, për tu vendosur fillimisht në Zvicër dhe pastaj në Itali, ku jeton edhe sot bashkë me familjen.


Romani i saj i parë, “Rosso come una sposa”, është një nga librat më të suksesshëm të botuar në Itali më 2008-n. E pritur mirë si nga publiku dhe nga kritika, sprova e shkrimtares shqiptare, e hedhur në treg nga shtëpia botuese “Einaudi” është bërë shpejt një best-seller.