Historitë e aventurave të një beqari francez, do të vijnë përmes komedisë Boeing Boeing, e cila do të ngjitet më 6 janar në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental Kujtim spahivogli, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Tiranë. Shkruar nga Marc Camoletti, përshtatur shqip nga Nasi Lera, kjo komedi do të vijë nën regjinë e Kiço Londos.



Në role kryesore interpretojnë aktorët Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentjan Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Andia Xhunga dhe Linda Jarani. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, Boing Boing paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe.



Tri stjuardesa, më saktë, nga tre vende të ndryshme, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur ti xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi (me ndihmën e shokut të tij të mefshtë Robert) lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. A do të mundet Don Zhuani gënjeshtar ta mbajë në këmbë këtë maskaradë, apo do të ndodhë katastrofa? Si i thonë fjalës: gjithçka është mirë, kur përfundon mirë.



4 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)