TIRANE- Në seancën e 220 gjyqësore, kur mendohej se u gjet një avokat për të mbrojtur Dritan Dajtin vjen dhe oferta e çuditshme.

Në seancën e sotme gjyqësore, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Ndue Pjetri me profesion avokat deklaroi se ishte gati të mbronte Dritan Dajtin në seancat e ardhshme gjyqësore por me kusht që të paguhet 200 mijë euro për punën  tij. Nëse gjykata bie dakord atëherë kërkon dhe 30 ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen.

”Kërkoj 30 ditë kohë dhe 200 mijë euro për të mbrojtur Dritan Dajtin”- i tha avokati Pjetri trupit gjykues.

Nga ana e tij Dritan Dajti i kërkoi gjykatës ta pranojë ofertën e avokatit. “I kërkoj gjykatës të pranojë kërkesën e avokatit, më pëlqen performanca e tij. Oferta 200 mijë euro është më e ulëta nga të gjitha, duhet të pranohet”- tha ai.

Për Prokurorin e çështjes Ardian Nezha është një tjetër tentativë për të shtyrë procesin.  “Avokati është palë me të pandehurin dhe kërkojnë të zvarrisin gjyqin”- tha ai.

Gjykata rrëzoi kërkesën e avokatit Ndue Pjetri.

Dajti akuzohet se me 7 gushtit 2009 ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duckollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale të cilët tentuan ta arrestonin të shumë-kërkuarin.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)