9 të burgosur shqiptarë vuajnë dënimet në burgjet maqedonase dhe kërkojnë transferimin
“Merrni masat për të plotësuar kërkesat e 9 të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në Maqedoni dhe kërkojnë transferimin në Shqipëri”. Kjo ka qenë kërkesa e institucionit të Avokatit të Popullit drejtuar disa ditë më parë Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë kërkesë thuhet se që nga viti 2008 Avokati i Popullit i Maqedonisë i ka dërguar një kërkesë homologut të tij shqiptar lidhur me bashkëpunimin për problemin e mostransferimit të të burgosurve shqiptarë nga Maqedonia në Shqipëri dhe anasjelltas. “Midis të tjerave, na thuhet se nga dokumentet e administruara nga ana e Avokatit të Popullit të Republikës së Maqedonisë rezulton se vitet e fundit, 9 shtetas shqiptarë, të cilët vuajnë dënimet në burg në ENK ‘Idrizovë’, në Maqedoni, kanë bërë kërkesa për transferimin e tyre në Shqipëri”, – thuhet në kërkesë.
Sipas këtij institucioni, me gjithë kërkesat e tyre drejtuar ministrive të Drejtësisë të dy vendeve, akoma nuk është bërë i mundur transferimi i tyre. Bashkë me kërkesën për bashkëpunim, Avokati i Popullit i Maqedonisë ka dërguar dhe listën me nëntë emrat e të dënuarve që kërkojnë transferimin. Ata janë: Shkëlqim Halili, Shkëlqim Krasniqi, Zini Ferati, Milazim Dida, Nildet Meçkai, Petrit Gjika, Jonuz Mazreku, Elvis Hila dhe Gentian Gjona. Gjithashtu bëhet e ditur se këta të dënuar kanë bërë disa kërkesa, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e institucioneve shqiptare.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit i Maqedonisë kërkon nga homologët e tyre shqiptarë angazhimin e tyre për shpejtimin e procedurave për transferimin në Maqedoni të dy shtetasve maqedonas që vuajnë dënimin në burgjet e Shqipërisë. Këta shtetas janë Blerim Fejzullahu dhe Habib Rexhepi, për të cilët Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë i ka bërë dy herë kërkesë për transferim Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, respektivisht në datat 14.08.2008 dhe 12.06.2008, por edhe në këtë rast ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Në fund të kërkesës drejtuar ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, Avokati i Popullit i kërkon këtij institucioni që të bëjnë të gjitha verifikimet e mundshme rreth kësaj kërkese dhe t’i kthehet një përgjigje sa më e shpejtë Ministrisë së Drejtësisë Maqedonase.

BOX

Të dënuarit shqiptarë në Maqedoni

Shkëlqim Halili ka bërë dy kërkesa për transferim, në vitin 2001 dhe 2007.
Shkëlqim Krasniqi ka bërë kërkesë në vitin 2007.
Zini Ferati ka bërë kërkesë në vitin 2005.
Milazim Dida ka bërë kërkesë në vitin 2007.
Nildet Meçkai ka bërë kërkesë në vitin 2008.
Petrit Gjika ka bërë kërkesë në vitin 2007.
Jonuz Mazreku ka bërë kërkesë në vitin 2007.
Elvis Hila ka bërë kërkesë në vitin 2007.
Gentijan Gjona ka bërë kërkesë në vitin 2008.

Të dënuarit maqedonas në Shqipëri

Blerim Fejzullahu ka bërë kërkesë më 14.08.2008 dhe 12.06.2008.

Habib Rexhepi ka bërë kërkesë më 14.08.2008 dhe 12.06.2008.

26 Dhjetor 2009