“Azem, ti je gjallë”, një film për heroin


Suela Furriku


Dhjetë vjet më parë ekzekutohet lideri i Lëvizjes së Dhjetorit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Në kuadër të kësaj date të shënuar, është realizuar një film dokumatar i titulluar “Azem, ti je gjallë”. Është një produksion i regjisorit Saimir Kumbaro, i cili është prezantuar dje në ambientet e kinema “Imperial”. Filmi që zgjat plot 58 minuta, është një dokumentar arkival ku tregohet hap pas hapi jeta e Azem Hajdarit si student, vendlindja e tij, aktiviteti politik si drejtues i mitingjeve, protestave kundër regjimit komunist dhe ndërgjegjësimin e popullit shqiptar për të përqafuar demokracinë. Nëpërmjet fotografive dhe regjistrimeve filmike të asaj kohe janë pasqyruar edhe shumë nga aktivitetet e tij në Parlament, ngjarje të ndryshme që i kanë ndodhur në Kuvend, atentatet politike, deri ditën kur është ekzekutuar.


“Ky është një dokumentar arkival mbi një hero. Pothuajse të gjithë e kemi “prekur” dhe të prekësh një hero është një fat i madh. Azemin në këtë dokumentar e kam parë si një njeri normal dhe të gjallë, pa patetizëm dhe të thjeshtë, ku çdokush merr informacion se kush ka qenë Azem Hajdari”, - shprehet regjisori dhe skenaristi Saimir Kumbaro. Ai ka theksuar se spunto për realizimin e këtij produksioni ishte fakti që edhe ai ishte një ndër bashkëkohësit dhe pjesë e lëvizjes studentore bashkë me Azem Hajdarin, Liderin e Dhjetorit. “Është një dokument historik dhe e kam quajtur: “Azem, ti je gjallë”, që është një slogan që unë e kam marrë nga turma që thërriste gjatë asaj kohe kur Azemi është ekzekutuar. E kam parë me dashuri, sepse e kam njohur personalisht, kam ndenjur me të. Me Azemin më lidhnin po të njëjtat pikëpamje”, - shprehet Kumbaro, duke shtuar: “Kam qenë edhe unë pjesëmarrës në lëvizjen studentore. Për mua ishte një inspirim, i kam admiruar të gjithë ata njerëz, i kam ndjekur hap pas hapi të gjitha lëvizjet e studentëve, si dhe kam marrë pjesë në turmë si i gjithë populli i Tiranës. Kjo është arsyeja që më ka nxitur të realizoj këtë film dokumentar”.


Gjatë shfaqjes së dokumentarit të pranishëm ishin edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili u shpreh se “ishte një realizim i shkëlqyer nga Saimir Kumbaro. Ai ka ditur të tregojë vlerat e mëdha dhe të vërteta të tribunës së lirisë, Azem Hajdari”. Filmi dokumentar “Azem, ti je gjallë” është ndjekur edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, zv.kryeministri Genc Pollo, bashkëshortja e Azem Hajdarit, si dhe fëmijët e saj, familjarë të tjerë të Hajdarit e shumë emra të njohur të politikës në Shqipëri.