Zyrtarë të emigracionit në Bremen të Gjermanisë dyshohen për mitmarrje, në këmbim të përmirësimit të aplikimeve të azilkërkuesve.


Der Spiegel thotë se Jutta Cordt, kryetarja e Zyrës federale të Emigracionit dhe Refugjatëve BAMF, kishte informacion mbi parregullsitë masive në këtë qytet, të cilat nisin që prej shkurtit të vitit 2017.



Kanali televiziv NDR dhe e përditshmja Süddeutsche Zeitung përmendin gjithashtu një shkëmbim të brendshëm e-mail-esh, ku tregohet se BAMF ka qenë në dijeni të procedurave të dyshimta, por ka ngurruar ta hetojë çështjen.


Mediet në fjalë citojnë një mesazh të postës elektronike, në të cilin kreu i Departamentit përgjegjës kërkon që situata të ekzaminohet pa zhurmë dhe pa hyrë shumë në detaje.


Vet BAMF i mohon pretendimet mediatike, e thotë se nuk ka marrë asnjë e-mail të këtij lloji. Në muajin prill, megjithatë, Prokuroria e Bremenit njoftoi se një ish-zyrtare e degës së BAMF në këtë qytet ishte vënë nën hetim, pas akuzave se ajo dhe 4 persona të tjerë kishin marrë ryshfet në këmbim të dhënies së azilit për rreth 1.200 refugjatë, pavarësisht se këta individë nuk i plotësonin kriteret e nevojshme.


Episodet thuhet të kenë ndodhur në periudhën e viteve 2013-2016. Për rrjedhojë, 18 mijë kërkesa azili të shqyrtuara në Bremen që prej vitit 2012 do të verifikohen edhe njëherë gjatë 3 muajve të ardhshëm.


21 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)