Udhëheqësi i një partie të djathtë ka nënvizuar vizionin e tij, në pjesëmarrjen e tij të parë në një debat televiziv, paraqitje kjo për të cilën kritikët kanë theksuar se mund të ndihmojë që kjo parti e djathtë të forcohet.



Kryetari i Partisë Kombëtare Britanike (BNP), Nick Griffin, u grind me pjesëmarrësit tjerë në debat, gjatë debatit mjaft të tendosur, të organizuar nga BBC.



Griffin pas përfundimit të debatit u ankua se pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në audiencë kanë qenë pjesëtarë të pakicave.



Ata na sollën në Londër, ku popullata vendase ka mbetur pakicë, kështu që ne nuk gëzojmë ndonjë përkrahje të madhe në ketë qytet, tha Griffin.



Vendimi i BBC-së për të ftuar Griffinin në debat ka nxitur protesta, por kjo shtëpi mediale theksoi se si medium publik, është i detyruar që të mbulojë të gjitha partitë që veprojnë në Britani. BNP nuk ka ulëse në parlamentin e Britanisë, por më herët gjatë vitit, kjo parti ka siguruar dy ulëse në legjislaturën e Europës.



Pjesëmarrja e Griffinit në debat u shoqërua me protesta nganjëherë të dhunshme, të organizuara para ndërtesës së BBC-së.



Ne ende mbështesim qëndrimin se ftesa dërguar Griffinit për pjesëmarrje ka qenë e drejtë, tha zëvendësdrejtori i përgjithshëm i BBC-së, Mark Byford.