Perspektivë evropiane, por shumë rrugë për të shkuar deri aty. Ky ishte konkluzioni i djeshëm i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në takimin informal të Gymnish në Çeki. Krerët e diplomacisë evropiane kanë diskutuar gjatë lidhur me çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liberalizimin e regjimit të vizave. Të ftuar të veçantë në këtë tryezë ishin edhe ministrat e vendeve të rajonit dhe kreu i diplomacisë kosovare. "Ne shqyrtuam një numër shembujsh, ku pamë se pjesa më e madhe e punës u mbetet për t‘u bërë qeverive dhe parlamenteve të vendeve të rajonit. Janë ato që duhet të shënojnë progres në plotësimin e kushteve", u shpreh Karel Schwarzenberg, ministri i Jashtëm çek, vendi që kryeson Presidencën e BE-së deri në qershor. Konkluzioni, vijoi ai, është që ne arritëm të biem dakord se edhe në kohën e krizës ekonomike ne nuk duhet të ngadalësojmë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, por ky proces duhet shoqëruar me kushte strikte. Komisioneri evropian për Zgjerimin, në konferencën për shtyp u pyet lidhur me vendet që konsiderohen më të përparuara dhe që mund të gëzojnë liberalizimin e vizave në fund të vitit 2009. Ndërsa për vendet e tjera, Olli Rehn deklaroi se është ende herët të thuhet se cilat janë, pasi duhet pritur raporti i detajuar i pranverës. Përgjigjja e tij për Maqedoninë ishte e qartë: "Dihet mirë në Bashkimin Evropian se Maqedonia ka përparuar mjaft mirë në përmbushjen e detyrimeve për liberalizimin e vizave, siç janë pajisja me pasaporta biometrike dhe masat për sistemin e kontrollit të integruar të kufijve. Këto janë thelbësore që qytetarët evropianë të ndihen të sigurt dhe që ne të bindim ministrat e Brendshëm të BE-së, të cilët janë forca e vërtetë vendimmarrëse për këtë çështje", u shpreh Rehn. Sakaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Javier Solana, nënvizoi se ishte e rëndësishme të mbahej një takim i tillë, që rikonfirmoi perspektivën evropiane të vendeve të rajonit rreth një vit pas presidencës sllovene të BE-së. "Që atëherë, Ballkani nuk kishte mbizotëruar në asnjë axhendë të takimeve në BE në nivelin e ministrave të Jashtëm", tha ai. Krerët e diplomacive të vendeve të BE-së kanë siguruar se anëtarësimi i Ballkanit në bllokun evropian varet nga Traktati i Lisbonës. "Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë një perspektivë evropiane", theksoi shefi i diplomacisë britanike, David Miliband. "Kemi dëshmuar se BE-ja duhet të mësojë nga historia e saj dhe kjo histori tregon se bashkimi bën fuqinë", theksoi ai. Sipas ministrit të Jashtëm të Finlandës, Alexandër Stubb, faza më e mirë nëpër të cilën ka kaluar BE-ja këto dhjetë vitet e fundit ka qenë zgjerimi i saj në vitin 2004, ku dhjetë vende u bënë anëtare të bllokut dhe këtë duhet ta mbajmë mend mirë. Por, shtoi ai, nëse Traktati i Lisbonës nuk do të hynte në fuqi, siç është parashikuar për vitin 2010, kjo do ta vështirësonte zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit. "Pa ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, situata mund të komplikohej dhe do të na duhej të bënim disa ndryshime në mekanizmat e votimit", deklaroi ministri i Jashtëm suedez, Carl Bild.