Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 21:00
Më në fund, BE-ja mobilizohet për të taksuar konkretisht bankat, një hap ky i rëndësishëm ndaj krizës ekonomike aktuale.
KE-ja ka propozuar një taksë për të gjitha transaksionet financiare midis institucioneve europiane, kur të paktën njëra nga palët e transaksionit ndodhet në BE.
65% e popullsisë europiane është në favor të kësaj takse dhe shoqëria civile ka vite që e pret këtë vendim.
Kjo taksë kontribuon në uljen e deficitit publik dhe mund të shërbejë edhe si e ardhur e pastër e buxhetit të BE-së me një gjenerim të ardhurash rreth 7 miliard euro.
Algirdas Semeta, komisioner për taksimin dhe doganat e BE-së:
Sektori financiar luan një rol të rëndësishëm në ekonomi, duke mundësuar një çmim të ndershëm të të ardhurave për një ekonomi produktive.
Në vitet e shkuara, sektori financiar ka abuzuar me këtë rol qendror. Taksa që propozojmë ka të bëjë me shumicën e produkteve financiare, për të evituar që aktiviteti të kalojë nga njëri produkt te tjetri për të evituar taksën.
Së dyti, taksa është e ulët, 0,1% për aksionet dhe detyrimet dhe për produktet e e tjera me 0,01%.
Taksa do vendoset për institucionet financiare në vendin e tyre të rezidencës dhe ka në objekt të gjitha transaksionet financiare që lidhen me tregun evropian.
Ky vendim ka një impakt edhe për filialet e bankave europiane që ndodhen në Shqipëri.
Por transaksionet e qytetarëve europianë dhe ndërmarrjeve europiane, duke përfshirë dhe ato shqiptare nuk do të taksohen.
Edhe huatë e hipotekimit, kreditë bankare apo kontratat sigurimeve janë të përjashtuara nga kjo taksë.
Vendimi për vendosjen e kësaj takse duhet të merret me unanimitet në Këshillin e ministrave dhe pritet të hyjë në fuqi në 2014. /abcnews/