Deri tani më shumë se gjysma e mbeturinave plastike të botës eksportoheshin për në Kinë, por Pekini vendosi tani ti ndalojë ato


Mijëra tonelata mbeturina plastike grumbullohen çdo vit në vendet e industrializuara dhe shpesh ato përfundojnë në Kinë. Deri tani edhe Gjermania dhe shtete të tjera të BE-së kanë eksportuar në shkallë të gjerë mbeturina plastike nga Evropa.


Vetëm Gjermania ka dërguar në Kinë në vitin 2016 rreth 560.000 ton mbeturina plastike. Kjo përbën rreth një të tretat e eksporteve të përgjithshme të BE-së që ka eksportuar në këtë vit në Kinë 1.6 milion ton mbeturina plastike.


Në Kinë ligjet për mbrojtjen e mjedisit janë më liberale dhe edhe shpenzimet për përpunimin e mbeturave më të ulëta. Kina i përpunon mbeturinat plastike dhe prodhon me to korniza për dritare apo objekte të tjera të ngjashme.


Plehrat të sëmurin


Zona të tëra në Kinë jetonin deri tani prej seleksionimit të mbetjeve për nxjerrjen prej tyre të lëndëve të para. Familje të tëra punojnë dhe jetojnë në kushte të mjerueshme, në fushat e grumbullimit të plehrave.


Në Guiyu, për shembull, një qytet në jug të Kinës, ku seleksionohen pajisje elektrike, mjekët kanë konstatuar nivele të larta plumbi në gjakun e 80 për qind të fëmijëve të ekzaminuar. Gjërat që nuk mund të riciklohen, derdhen shpesh në lumenj dhe në fusha dhe në fund përfundojnë tek frutat, primet apo ushqimet e tjera.


Rritje e vetëdijes mjedisore


Tani Pekini zyrtar vendosi ta ndalë importimin e mbeturinave nga Evropa. Me rritjen e mirëqenies në vend Kina prodhon tani vetë më shumë mbetje dhe po bëhet më e vetëdijshme për mjedisin. Kudo në të gjithë vendin po ndërtohen impiante moderne riciklimi dhe djegieje.


Aktivistët kinezë të mjedisit po festojnë për këtë sukses. Sipas tyre ky vendim i qeverisë është një kontribut për zgjidhjen e problemeve të rënda mjedisore të Kinës.


Problem për Evropën


Shumë vende, si Gjermania, nuk kanë më tani mundësi të eksportojnë 24 lloje mbeturinash që janë përfshirë në listën e importeve të ndaluara. Tani ato duhet të mendojnë për të gjetur shpejt alternativa, sepse BE-ja është në rrezik të përmbytet prej mbeturinave plastike.


Megjithë sistemin e ndarjes së plehërave dhe mbeturinave Gjermania është ende një nga prodhuesit më të mëdhenj të mbetjeve plastike në BE për shkak të mungesës së vetëdijes për këtë problem. Po ashtu në Gjermani si dhe në vende të tjera të BE-së kostot për përpunimin e mbeturinave janë mjaft të larta dhe për këtë mendohet se një pjesë e madhe e tyre do të përfundojë përsëri në dete dhe oqeane.