Qeveria përshëndeti dje qëndrimin e BE lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit. Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu tha në një konferencë për shtyp se deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Suedisë, Karl Bild dhe Komisionerit Oli Rehn, tregojnë se vendi ynë kaloi testin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Jam këtu për të përshëndetur deklaratën e djeshme të Presidencës së BE, dhënë nga Ministri i Jashtëm suedez Karl Bild dhe deklaratën e komisionerit evropian për zgjerimin Olli Rehn, të cilët kanë vërtetuar edhe një herë me deklaratën e tyre se Shqipëria e ka kaluar suksesshëm testin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit”, theksoi Bregu. Sipas saj, deklaratat e presidencës suedeze dhe komisionerit Rehn, se vendi pas këtyre zgjedhjeve është në një pozitë më të mirë për sa i përket perspektivës evropiane, janë konfirmim i përgjegjshmërisë me të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar detyrimet që afrojnë me BE.