Tiranë- Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mbeten kushti kryesor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 27 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë dalë në këtë përfundim, në takimin e tyre të fundit gjatë presidencës franceze. Duke iu referuar mediave të akredituara pranë KE-së, pasi vlerësohen progreset e realizuara në një numër fushash, siç është reforma zgjedhore apo përmirësimi i klimës së biznesit, në konkluzionet e ministrave të Jashtëm nënvizohet, gjithashtu, se përpos arritjeve, respektimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përforcimi i kapaciteteve administrative, mbeten sfida madhore që kërkojnë veprime të vendosura. Qëndrimi i ministrave të Jashtëm është i njëjtë me rekomandimet e nxjerra pak kohë më parë nga progresraporti i Komisionit Evropian për rezultatet e punës së qeverisë shqiptare. Kështu, Këshilli i Ministrave të Jashtëm inkurajon Shqipërinë për vazhdimin e rolit konstruktiv në kuadër të stabilitetit rajonal dhe njësoj për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vitin 2009. Ndërsa lidhur me aplikimin për statusin e vendit kandidat, BE-ja rekomandon se duhet shënuar progres i vërtetë në reformat politike, ekonomike, dhe se vlerësimi do të bëhet në bazë të meritave individuale. Në progresraportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, pikërisht në 4 nëntor, thuhej ndër të tjera se, pak ishte bërë për kufizimin e mundësive për korrupsion në çështje si, administrimi i taksave, apo shërbimi i biznesit. Progresraporti citonte gjithashtu se, progres i limituar ishte bërë në luftën për larjen e parave, dhe se po aq i limituar ishte edhe luftakundër drogës. Progres i limituar raportohej edhe në luftën kundër krimit të organizuar, vërejtje të cilat, qeveria shqiptare pranoi t’i merrte parasysh vetëm pas tri ditësh nga dita e publikimit zyrtar të këtij raporti.