Pas dy vjet e gjysmë, përfundoi projekti financuar nga Zyra e BE-së "Mbështetje për forcimin e mekanizmit për implementimin e decentralizimit të shërbimeve sociale". Projekti ishte një ndërmarrje komplekse për t'i ndihmuar institucioneve qendrore dhe komunale në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve sociale që u ofrohen personave në nevojë, si dhe në përgatitjen e bazës për decentralizimin efektiv të shërbimeve sociale në Kosovë. Partneri kryesor dhe përfitues i projektit ishte Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

"Rritja e qëndrueshme dhe konsensusi social kërkon një gamë të gjerë të shërbimeve të cilat u ndihmojnë personave në nevojë për t'i kapërcyer vështirësitë që ata hasin. Shërbimet sociale bazohen në vlerat thelbësore evropiane, duke përfshirë solidaritetin, dinjitetin dhe respektin për jetën e njeriut. Cilësia e shoqërisë mund të gjykohet në mënyrën se si ajo kujdeset për më të dobtit e saj. BE-ja do të vazhdojë t'i mbështesë autoritetet e Kosovës dhe Shoqërinë Civile për ta arritur këtë synim në këtë sektor", tha zëvendës Shefi për Bashkëpunim, Libor Chlad.

Për disa vite në raportet e saj për Kosovën, Komisioni Evropian ka theksuar nevojën që Kosova të lëvizë me decentralizimin e shërbimeve sociale dhe inkurajon institucionet kompetente, veçanërisht komunat, që t'i përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me ofrimin e shërbimeve cilësore sociale për personat në nevojë.

Në veçanti, projekti forcoi mekanizmat e nevojshëm të zbatimit për t'i përmbushur objektivat për ofrimin e shërbimeve sociale, standardeve të shërbimit social, si dhe monitorimin dhe vlerësimin e ofrimit të shërbimeve sociale, dhe së dyti ndërtoi kapacitete dhe burime si dhe mbështeti hartimin dhe zbatimin e strategjive dhe planeve lokale të veprimit për ofrimin e shërbimeve sociale në nivel komunal. Duke ndihmuar Ministrinë në përmbushjen e këtyre objektivave, projekti i financuar nga BE-ja në fakt lehtësoi zbatimin e masave të përcaktuara në Strategjinë Sektoriale të Ministrisë 2009-2013.

Në vijim renditen disa nga rezultatet e projektit:

  • U zhvillua një databazë e re e shërbimeve sociale dhe projekti i ofroi MPMS-së mbështetje në politika dhe udhëzime për financimin e sektorit social; legjislacioni; standardet minimale të cilësisë; mekanizmat për licencimin e ofruesve jo-shtetëror; dhe monitorimin dhe inspektimin e ofruesve të shërbimeve qeveritare dhe jo-qeveritare.
  • U forcua kapaciteti i agjencive të sektorit social siç janë Këshilli i Përgjithshëm për Shërbime Sociale dhe Familjare (KPSHSF); Lidhja e Qendrave për Punë Sociale (LQPSK); Komisioni Qeveritar i Mirëqenies Sociale, Përfshirje Sociale dhe Decentralizim (KQMSPSD); dhe Kolegjiumi i Drejtorëve të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (KDSHMS), të vendosura në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK). U zgjerua kapaciteti i KPSHSF-së në përmbushjen e mandatit të tij në licencimin e personelit të sektorit social dhe zhvillimin e profesionit të punës sociale.
  • Tri grupe të standardeve profesionale për punëtorët social të licencuar u hartuan dhe u dorëzuan për miratim pranë Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve të Kosovës (AKK). Bazuar në standardet profesionale, pesë module trajnimi profesional u përpunuan, të cilat plotësojnë kriteret e AKK-së për akreditim. Trajnerët e CGSFS u përfshinë në mënyrë aktive në ofrimin e disa aktiviteteve trajnuese të Projektit, së bashku me ekspertët ndërkombëtarë.
  • Shtatë grupe të standardeve minimale të cilësisë për shërbimet sociale[1] u hartuan duke përdorur një qasje që përfshinte të gjithë aktorët kryesorë. Për ta mbështetur zbatimin e standardeve, një program trajnimi u hartua dhe u dorëzua punonjësve të licencuar social, stafit të kujdesit rezidencial dhe stafit nga qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara. Standardet minimale të cilësisë gradualisht janë duke u futur në qendrat komunale për punë sociale dhe ofruesit e licencuar të shërbimeve. Monitorimi i pajtueshmërisë me standarde është mandat i Monitorimit të MPMS-së dhe i Njësisë së Inspektimit e cila u mbështet nga Projekti.
  • Kapaciteti profesional i planifikuesve të sektorit social dhe i menaxherëve nga komunat dhe nga qeveria qendrore u ngrit pas ofrimit të një programi gjithëpërfshirës të trajnimit të nivelit të menaxhimit. Trajnimi adresoi çështjet e tilla si planifikimi i bazuar në nevoja; financimi i shërbimeve sociale; kostimi, buxhetimi dhe menaxhimi financiar; sigurimi i cilësisë; nënkontraktimi dhe kontraktimi social; zhvillimi i shërbimit; dhe monitorimi dhe vlerësimi i ofrimit të shërbimeve. Rreth njëqind e njëzet drejtorë dhe menaxherë nga të gjitha komunat morën pjesë në secilin nga katër raunde të trajnimit.
  • Punonjësit social të licencuar nga të gjitha komunat dhe OJQ-të morën pjesë në një program trajnimi që përbëhej nga tri punëtori dyditore, që u mbajt në gjashtë vende për gjashtë grupe. Trajnimi u projektua si kurs rifreskues për punëtorët social me përvojë dhe trajtoi temat si Parimet e punës dhe praktikës sociale, Standardet minimale të cilësisë dhe puna sociale me familjet, me fëmijët, me personat me aftësi të kufizuara dhe me të moshuarit. Certifikatat iu dhanë dyqind e pesëdhjetë e shtatë punëtorëve të licencuar social të cilët përfunduan të gjitha gjashtë ditët e trajnimit në bashkëpunim me MPMS-në.

Kombinimi i ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe i ngritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore me sukses ka ndërtuar një bazë të fortë për zhvillimin e ardhshëm të sistemit cilësor të shërbimit, i aftë për t'i plotësuar nevojat e popullatës së Kosovës.