FADIL LEPAJA


Fadil LepajaShteti po funksionon. Policia andej edhe këndej kufirit shqiptaro-shqiptar brenda pak ditësh shënoi dy suksese të mëdha, gati historike, kundër krimit të organizuem e të paorganizuem. Krimit çfarëdo që të jetë, nuk i këqyren dhëmbët, se krim është! Nejse, ka edhe dallime. Këndej krimi ecën me biçikleta e andej me avionë. Këndej e kapën kokën e krimit, pas një aksioni të organizuar mirë, nga vendorë dhe ndërkombëtarë, e andej krimi ra vetë. Prej qielli! Në plazh. Sa mirë që nuk ra drejt mbi ndonjë stacion policie! Ashtu do të konfrontoheshin krimi me shtetin. Do të kujtonte shteti se krimi po e sulmon dhe… pasojat mund të kishin qenë të paparashikueshme.


Kështu, shpëtuam, fort mirë që krimi ra në plazh, se nuk u lëndue askush, përfshi edhe pilotin. Po e kuptoni se andej ka ra, se këndej në Kosovë nuk kemi plazhe, as kemi det. Nejse, opozita si opozita, menjëherë e shpalli të dyshimtë këtë rënie avioni se… edhe aterrim nuk mund të quhet. Madje, opozita e shpalli të dyshimtë edhe një veturë përplot me kanabis sativa të kapur në afërsi, e cila krejt rastësisht duket të ketë rënë në një patrullë policie, e cila kishte ardhur për aksidentin. Policia nuk ka ditur se cilët janë, përndryshe nuk do i kishte ndaluar. Nejse, mund të kenë qëlluar edhe policë të papërvojë në patrullë. Kështu, idila u prish! Ka mundur çdo gjë të përfundojë mirë sipas asaj të moçmes: edhe ujku i ngirë edhe delet në numër! Por, shyqyr që nuk pati viktima.


Policia, çile guri gojën! Hetimet vazhdojnë. E opozita, derisa ishte në pushtet, betohet se nuk kishte parë asnjëherë ndonjë aeroplan të dyshimtë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, e lëre më të ketë aterruar në tokë. Krejt kjo filloi kur ata ikën nga qeverisja. Tash që janë në opozitë, po i shohin edhe yjet, ditën. U këndellën. Këndej e tutje, me këtë opozitë denoncuese, tregtia pritet të bëhet me UFO. Kështu konspiracioni do të marrë përmasa ndërplanetare.


E këndej, në Prizrenin e bukur, policia jonë e shpartalloi krimin. E theu në kurriz. Ska më krim! Lajmi duket i pabesueshëm, por i vërtetë. Në Prizren u kap një kriminel i kalibrit të madh. Nejse, nuk është fjala për kryetarin e komunës. Ai u dënua veç me kusht. E ky nuk mund të lirohet, sepse ka dyshime të bazuara se bëhet fjalë për mbi 50 biçikleta të vjedhura. Secilën prej tyre dyshohet ta ketë shitur së paku 25 euro për copë. Llogarisni! Policia reagoi rrufeshëm sapo krimineli i rrezikshëm ra në kamerë të sigurisë. Se ai, si të gjithë kriminelët në këtë vend, po lëvizte relaksueshëm prej shtëpie në shtëpi, i bindur se shteti po fle. Por, shteti nuk fle… natën. Fle ditën.


Policia i mblodhi krejt biçikletat e shitura dhe qytetarët patën mundësi me i marrë biçikletat e veta. Shumë prej tyre përplot gëzim erdhën në këmbë e u kthyen me biçikletë. Gëzim më të madh Prizreni nuk ka pas ka kohë. Ky është edhe një premtim i mbajtur antikrim, i realizuar prej qeverisjes lokale dhe asaj qendrore. Pushteti lokal dhe qendror gjithkund bashkëpunon ngushtë.


Duke e ditur kontributin e madh që ka dhënë kryetari i Prizrenit, për ndërrimin e imazhit të këtij qyteti, i cili prej qytetit të Lidhjes u shndërrua në qytet të biçikletave të vjedhura, edhe …antilidhjes, pra në zemrën e neoperandorisë, kolumnën e sotme e quajtëm Biçikleta e Ramadanit! Jo se Ramadani ka vozitur vetë biçikletë, por thjesht për të njohur kontributin e tij.


Pra, suksesi është i madh! Një kriminel kaq të urryer mund ta kenë kapur veç me një bashkëpunim gjithëpërfshirës vendor dhe ndërkombëtar. Kurrkund nuk kishte lënë gjurmë, derisa ra në një kamerë sigurie!


E kur jemi te rënia, ra këto ditë edhe Parlamenti. Parlamentin dikush e pat quajtur më herët edhe azil të krimit. Ai, si kontribut për luftimin e krimit të organizuar, pat propozuar me ia vu grilat, Parlamentit. Apo diçka të ngjashme.


E keni pa? Sa herë ndodhet përballë me krimin, ekzekutivit tonë i dridhen këmbët e qelqta dhe vetërrëzohet. Bie! Nuk e përballon imazhin e vet.


Në një debat televiziv, dikush e krahasoi Kosovën me Italinë, e cila dikur kishte paqëndrueshmëri të ekzekutivit, e madje edhe të legjislativit, duke aluduar se pushteti i vërtetë ka qenë diku tjetër. Ai aludonte te nëntoka. Ec e merre vesh! Thua se nën parlament të kenë ndërtuar edhe një parlament tjetër?! Parlament mbi parlament!


Por, ne nuk jemi Itali. Ne jemi… ne jemi sui generis! Për gjithçka. Te ne nuk ka nëntokë. Krejt janë mbi tokë. Edhe nëntoka. E pushteti i vërtetë është… në kodër. Ambasadat janë atje, në kodrën, e cila dikur quhej Dragodan e tash Arbëri. Prej Arbërie duket qyteti si në pëllëmbë. Kurdo që ka huti institucionale, krerët e vendit ngjiten në kodër. Si Moisiu në mal, dikur.


Pra, kjo rënie nuk është aq dramatike. Madje nuk është as vetëvrasje politike. Vjen tjetri, vetëm pas dhjetë ditë fushate. Hëngër fiq dhe vdiq! Hëngër zall dhe u ngjall! – thotë populli. Diçka sikur me e mbyll një llogari virtuale në rrjetet sociale dhe me e hap tjetrën. Ashtu ndërrohet qeveria. I ndërron edhe miqtë edhe foton e profilit.


Kështu, zgjedhje do të ketë, por zgjidhja nuk duket nga ky proces. Një ambasador i një vendi mik, madje e sheh të nevojshme me u deklarue edhe kundër partive të caktuara, jo se duan të përzihen në verdiktin e qytetarëve të këtij vendi por… sa për me e ditë. Nëse qytetarët nuk e kuptojnë mesazhin, duhet me ndërhy në kutia vetë Kryeministri në detyrë. Desha të them në largim, por u korrigjova. Po e përkrahin. Mos e çoni punën deri aty, sikur sugjeron ambasadori.


E Kryeministri thotë, se askush nuk mund ta qeverisë më Kosovën nëse nuk e do Brukseli dhe Uashingtoni! Pra qenka punë dashurie. Ljubav hesapi, do të thoshte një qytetar i rëndomtë, i cili parapëlqente që fjalët e turpshme si dashuria ti thoshte në gjuhë tjetër.


Kështu dikush punon dhe e kap krimin e organizuem me biçikletë në dorë, e dikujt i bie para këmbësh, prej qiellit. Me aeroplan. E pat puna, Europë! Duam vizat edhe këndej! Më nuk ka krim këndej. Vdiq nga… lemza!


Ky shkrim BIÇIKLETA E RAMADANIT! u publikua me pare te Gazeta SHQIP.