Alfred Veliu, i ashtuquajturi “Babalja”

Nga Zamira ÇAVO


Me sa duket liderët tanë duhen ndarë në dy kategori: në ata që nuk kanë fare personalitet dhe në ata që kanë disa të tillë!


Kryetari i opozitës hyn padyshim në kategoinë e parë. Flet, aktron, intrigon, bën sikur revoltohet, por asnjë fjalë nuk i ngjit, sepse nuk ka ide, nuk ka strategji nuk ia ka haberin politikës. Ka tre vjet që thotë këtë muaj do rrëzojmë Ramën, por nuk ka këllqe as të përballet me të.


Në kategorinë e dytë hyn padyshim kryeministri ynë. Teksa e dëgjon në komunikimet zyrtare ndjen qartazi politikanin elokuent që magjinë e mashtrimit e zotëron gati në perfeksion. Më tej teksa e shikon në vendimmarrje nuk mund të mos dallosh autoritarizmin e një njeriu që aspiron të mbetet në histori duke shpresuar në vlerësimet e së nesërmes. Por teksa e ndjek në rrjetet sociale, nuk mund të mos dallosh inatçorin adoleshent, që përpiqet ti kundërvihet kujtdo që e kundërshton.


Pavarësisht kësaj ndarjeje, të dy liderët tanë të politikës së ditës, janë ca mistrecopolitikanë që i kanë mjaft të qarta synimet e tyre. Interesat personale prevalojnë për ta mbi çdo interes tjetër! Ndaj e trajtojnë popullin si një grigj që mbahet në vath, duke i vendosur ca gardhe mendore. Ndaj kanë shpikur lojën e video-përgjimeve. Grigja, rend pas lajmit të fundit duke humbur në labirinthin mendor të një loje edhe më të madhe të shpikur mrekullisht nga superliderët tanë! Dhe për ta bërë sa më të joshëse këtë lojë kanë vënë në punë arsenalin bërthamor mediatik!


Çdo ditë, çdo mbrëmje ka vetëm babalizma në variante të ndryshme. Njerëzit në vend të merren me varfërinë, me vendin që është shitur copa-copa, me degjenerimin marramëndës të edukimit, me problemet e shëndetësisë apo arsimit, me dhunën apo me korrupsionet masive, rrinë e presin serinë e radhës sikundër bëjnë me serialet turke. I ndjekim me pasion sikur ti kenë në terezi të gjitha. Po ku ka më mirë se njerëzit të merren me babalizma dhe jo me vetveten!


Ja kanë dalë të na çmendin. Sot një video-përgjim e nesër një video-skandal. Ne merremi me to e harrojmë jetën tonë! Ka një status të naftëtarit, i cili akoma nuk po zbatohet, ka një pagesë ndihme ekonomike që është pothuaj qesharake për jetën e sotme, ka familje që gdhihen e ngrysen pa ngrënë, ka një sistem edukimi që po rrënohet çdo ditë me shpejtësi, ka dhunë, degjenerim etj etj. Mijëra halle kemi, por ia kemi kthyer krahët halleve dhe bredhim pas babalizmave të politikës!


Sikur të paktën ata që e konsiderojnë vetën intelektualë, të bashkojnë zërat kundër kësaj politike gardhiste, me siguri vendi do kishte një pamje më të mirë dhe njerëzit një fill shprese. Por edhe intelektualët shpesh bëhen fansa të serive të veçanta. Hipokrizia në këtë rast është shndërruar në një aktivitet 24 orësh.


Ai që e vuan si gjithnjë është populli. Çfarë mund të bëhet? Më së pari të shpërthejmë gardhet e mendjes. Të mos bëhemi spektatorë të jetës sonë, por aktorë të saj. Të kuptojmë se politika këtë pret nga ne; të jemi spektatorë!


16 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)