Një qytetar me origjinë nga Burreli dhe banues në Shkozet të Durrësit ka denoncuar pranë emisionit BOOM në Rtv Ora News peripecitë më shumë se trevjeçare në zyrat e Gjendjes Civile për të ndryshuar emrin e vajzës së tij.


Në fakt, vajza ka një emër që në lindje dhe të tillë dëshiron ta ketë, por në zyrat e gjendjes civile i është ndryshuar nga Armonela në Armenda, e krahas ndryshimit të emrit, familjes i është ndryshuar edhe mbiemri nga Suçi në Suci.


Këto ndryshime kanë bërë që vajza të mos mundet të shkojë në Itali për kurim më të specializuar, ashtu siç ka dashur babai i saj. Burri është përballur edhe me ofendime në zyrat e Gjendjes Civile, gjë që pranohet edhe nga vetë punonjësja në kameran e fshehtë. Shefja e Zyrës së Gjendjes Civile në Shkozet ka premtuar zgjidhje për çështjen.





Denoncimi i plotë:


Gazetarja: Përse i jeni drejtuar emisionit Boom?


Bajram Suçi: Për një arsye të një ngatërrese mes gjendjes civile të Shkozetit të Durrësit. Që nga tetori 2013, kam kërkuar për rregullimin e një gabimi të vogël të fëmijës tim dhe të mbiemrit tim në Shkozet të Durrësit, kur pashë letrat nuk janë origjinalë. Në një kohë, në Shkozet të Durrësit kanë marrë kartën e identitetit të rregullt të tre pjesëtarët e familjes time dhe më thonë që këtë gabim nuk e ke ti, por e Gjendja Civile ku ke lindur.


Jam detyruar të marr certifikatat e vitit 45 kur unë nuk kam lindur (kam lindur në 55) dhe ua kam çuar atje të çdo pesëvjeçari. Nga 45-deri në 2015-ta i kam çuar certifikatat. Ajo që është më e keqja dhe pak e shëmtuar, të bëjnë edhe presion.


Gazetarja: Çfarë ju thonë?


Bajram Suçi: Ik o malok!


Gazetarja: Kur e keni konstatuar këtë problem keni bërë kërkesë të ndryshimit të emrit të vajzës suaj dhe të mbiemrit?


Bajram Suçi: 100 herë. Nga Burreli në Durrës mund të kem harxhuar 500 mijë lek vetëm rrugë, vajtje-ardhje, vajtje-ardhje, asnjëherë nuk thanë po. Është në proces gjyqësor në Ministri të Brendshme thonë. Kush i lëviz këto? I lëviz unë? Rregulloi ti se ti i ke prishë? Gjeje ti. Pse e kam kartën e identitetit të rregullt që është marrë këtu tek ti? Pse certifikata në 2016 më del Armenda Suci, nuk më del Armonela Suci.


Për fat të mirë bëri goca më mirë. Desha të kuroj në Itali. Ishte karta e identitetit në kundërshtim me rregullat dhe ngeli goca pa iu bë asnjë lloj vizite në Itali. Për fat të mirë, ajo bëri më mirë. Ato të Burrelit ma kanë dhënë origjinal, kurse ata thonë prit, prit.


Gazetarja: Ju jeni në prag pensioni, ju ka krijuar problem kjo çështje?


Bajram Suçi: Shumë, shumë. I thashë që dua letra të rregullta se mua më nxjerrin pengesë në certifikata. Unë e kam emrin ndryshe në Gjendjen Civile dhe ndryshe më del në internet. Më thonë ti nuk je filani. Më thonë ti e ke Bajram Suçi, nuk e ke Bajram Suci. Ndërkohë që unë ia kam çuar të gjitha të rregullat.



Zyra e Gjendjes Civile në Shkozet, Durrës


Shefe e Zyrës: Është bërë dhe një shkresë drejtorisë për korrigjim materiali për punën e mbiemrit.


Gazetarja: Dhe ka ardhur? Është kthyer përgjigja e kësaj shkrese?


Shefe e Zyrës: Tani, vendimi është këtu më datë 18 nëntor 2016. I është bërë korrigjimi i mbiemrit nga Suci në Suçi. Ai gjithë kohën e ka pasur mbiemrin C, Suci. Në momentin që do bëhej korrigjimi për atë janë marrë materialet dhe dokumente për të bërë korrigjime komplet familjes. Këtij i është bërë nga Suci në Suçi.


Qytetari: Sa është koha për këtë punë? Tre vjet, katër vjet, pesë vjet, dhjetë vjet….?


Gazetarja: Sa mund të shkojë?


Qytetari: Të vdesim ne pa i rregulluar.


Shefe e zyrës: Tani vëre emrin si të duash o xhaxhi, çfarë të them unë! Vërja emrin si të duash.


Gazetarja: Z.Bajram i tërhoqët sërish certifikatat. E ka rregulluar gabimin Zyra e Gjendjes Civile?


Bajram Suçi: Emrin e gocës akoma i pa rregulluar. Koha është shumë e gjatë, rreth 3 vjet e gjysmë. Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme. Të gjitha kërkesat që kanë kërkuar, të gjitha i kam plotësuar.


Gazetarja e BOOM shkon pranë Zyrës së Gjendjes Civile në Shkozet


Gazetarja: Zotëria ka pasaportizimin në Gjendjen Civile tuajën, në Shkozet të Durrësit. Tani vajza e ka në kartën e identitetit, Armonela, në Gjendjen Civile kur merr certifikatën, vajza e ka Armenda. Kjo ka patur problem. Ka dashur të kurohet jashtë dhe i ka dalë pikërisht problem për shkak të emrit.


Punonjësja: Atëherë, dëgjo këtu. Në momentin që qytetari shkon e bën një aplikim për kartë identiteti, operatori të nxjerr një formular me të gjitha të dhënat e personit, ta jep përpara ta lexosh dhe të thotë lexoi të gjitha të dhënat.  Dhe aty firmos dhe qytetari thotë se jam dakord me të dhënat dhe vë firmën. Dmth që qytetarja me këtë kartën që ka bërë ka qenë dakord.


Gazetarja: Në rregull e ka emrin. Armonela është emri i saj që në lindje, ndërkohë certifikata del Armenda. Është e ndryshme. Këtu është problemi. Për shkak të emrit nuk ka mundur të kurohet dot jashtë shtetit.


Punonjësja: Unë tani po e dëgjoj këtë problem për herë të parë.


Qytetari: Jo! Jo! Unë këtë ta kam thënë ty personalisht.


Punonjësja: Zonjë unë nuk merrem me ndryshimin e emrave dhe korrigjime fare.


Gazetarja: Merresh sepse ta atribuon ligji për këtë pjesë, për ta korrigjuar.


Punonjësja: Ka mundësi! Se çfarë merret këtu brenda e di unë, nuk e di ti atje përjashta.


Gazetarja: Zonjë, të lutem është ligji, urdhëroni.


Punonjësja: Mos më trego ligjin ti mua. Kam ligjin brenda zyrës në momentin që e kam gabim. Duhet të ma kthejë e të më thotë që sështë ky emri i fëmijës.


Qytetari: Po kam ardhur moj, kam ardhur moj motër. Ti je ajo që më the mua ik ore malok, ti.


Punonjësja: o mirë të kam thënë malok, malësor. A je malësor?


Qytetari: Është tre vjet e gjysmë kjo, nuk është një ditë, është tre vjet e gjysmë.


Punonjësja: Nuk e kuptoj njëherë si e paske bërë këtë kartën? Shihe moj njëherë, kartë e ka bërë me emër tjetër.


Qytetari: Është tre vjet e gjysmë kjo, nuk është një ditë.


Punonjësja: Ti e ke ndryshuar emrin Armenda. Nga Armonela e ka bërë Armenda.


Gazetarja: Po si është ndryshuar? Kush e ka ndryshuar? Si ka mundësi karta e identitetit është në rregull, certifikata lëshohet Armenda?


Punonjësja: Po mirë, por kjo pse ka firmosur për këtë?


Gazetarja: Po është emri në rregull, është në rregull karta. Është emri i vërtetë.


Punonjësja: Mund të jetë bërë lapsus. Të sqaron zonja, mund të jetë bërë edhe ndonjë lapsus.


Gazetarja: Po lapsusi e ka lënë pa kuruar jashtë shtetit, pra lapsusi.


Punonjësja: Praktika e mbledhjes së dokumentacionit për të bërë korrigjimet, gabimet materiale, fillohet nga origjina deri në momentin e sotëm. Dashje pa dashje në qoftë se kërkon një gjë, mund të dalin edhe gabime të tjera, lapsuse që kanë ardhur gjatë rrugës. Jemi të detyruar të mbledhim dokumentacionin për të gjithë familjen.


Gazetarja: Zyra tjetër nga ka pasaportizimin e parë ti ka sjellë në rregull materialet, emër, mbiemër. Janë të gjitha në rregull.


Punonjësja: Thotë ai? Të thotë ky?


Gazetarja: I kam parë edhe unë moj zonjë!


Punonjësja: Ku i ke parë? Ke shkuar atje?


Gazetarja: Po kam vuajtur atje. Janë në rregull të gjitha. Të gjitha gabimet lindin këtu. Unë kot skam ardhur këtu tek ju, për të kërkuar sqarim.


Punonjësja: Se di!


Shefe e Zyrës: Tashi meqë zotëria paska me aq problem të madh. unë kam për detyrë që sot të nisë një shkresë tjetër. Ta nis urgjente. Që sot do merrem prapë me këtë punë.


Gazetarja: Edhe sa zgjat kjo procedurë?


Shefe e Zyrës: Tashi edhe vonohen ato. Ne jemi zyrë shumë e madhe.


Gazetarja: Zyrë shumë e madhe, por përderisa po shkruan urgjente, besoj se është urgjente?


Shefe e Zyrës: Jo moj dhe urgjente mund të jetë. Përderisa qytetari do të mbarojë punë, duhet mbaruar punë. Unë që sot do të merrem me këtë punë, do lë çdo gjë e do të merrem me këtë punë. Do lidhem me drejtorinë, do të them kam rastin kështu-kështu. Pse ëshë bërë vetëm kjo dhe më ka ngelur vetëm kjo?!


Dua përgjigje pse smë ka ardhur deri tani. Bëmë një gabim na fal, do ta rregullojmë. Njerëz jemi, por dhe gabojmë. Koha e dorës ka qenë. Me hedhjen në kompjuter, dolën dhe familje të dubluara dhe familje gabim dhe germa gabim.


Gazetarja: Zt.Barjam ne biseduam edhe me zyrën e Gjendjes Civile dhe na premtuan që sot se do të nisin një shkresë urgjente për korrigjimin e emrit të vajzës.


Bajram Suçi: Faleminderit!



/Ora News.tv/


 


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter