Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vazhdon të mbetet optimist se ekonomia jonë e ka kaluar krizën dhe që tashmë mbeten për t‘u vlerësuar efektet që dha. Gjatë një takimi me disa krerë bankash të rajonit, zhvilluar dje në Tiranë, guvernatori theksoi nevojën për të punuar në grup dhe të mirëkoordinuar. "Tashmë që ne kemi arritur të shmangim krizën, duhet të nisim vlerësimin e dëmeve anësore që ka shkaktuar reagimi ynë ndaj presioneve të krizës. Në këtë drejtim, duhet të analizojmë me kujdes dhe efektivitetin e politikave tona afatshkurtra", tha Fullani. Ndërkohë, sipas tij, "ende nuk jemi jashtë rrezikut dhe është e rëndësishme të sigurohemi që oreksi i madh fiskal i vitit të kaluar që karakterizoi tërë rajonin, nuk do të vazhdojë të jetë fenomen mbizotërues i këtij normaliteti të ri".