Të dhënat më të fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesat e kredive në lekë kanë arritur në muajin shtator nivelin më të lartë të dy viteve të fundit. Rritjen më të fortë e kanë pasur kreditë me afat deri në 6 muaj, të cilat përdoren nga biznesi si kapital qarkullues për nevoja afatshkurta. Sipas të dhënave të BSH-së, interesat e kredisë me afat 6-mujor në lekë arritën në 16%, 3% më shumë se gushti dhe 4 pikë përqindje më të larta se një vit më parë. Të dhënat tregojnë se rritje jo të vogla ka pasur edhe për llojet e tjera të kredisë në lekë. Sipas bankës, interesat e kredisë me afat deri në 1 vit u rritën në 13%, nga 12% që ishin në gusht. Edhe interesat e kredisë konsumatore, me afat 1-3 vjet, janë rritur sipas Bankës Qendrore me 2 pikë përqindje, krahasuar me muajin gusht, duke arritur në 16%. Interesat e kredisë me afat më të gjatë nga 3-5 vjet dhe mbi 5 vjet kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me gushtin, por në krahasim me një vit më parë janë rritur respektivisht me 2 dhe 1 pikë përqindje. Ekspertët thonë se interesat e kredisë në lekë po rriten për disa arsye, që kanë të bëjnë me kërkesën e lartë të qeverisë për borxh, por edhe me rritjen e kredive të këqija.