Në gazetën DITA është publikuar sot pjesa e dytë e intervistës me deputetin socialist Spartak Brahon për raportin e operativit të Sigurimit, Ali Anadolli mbi rekrutimin e Sali Berishës nga UDB-ja serbe.


Baba Taku i njohur për çantën e zezë, pasi kishte ngritur akuza tepër të rënda në drejtim të Berishës në intervistën e parë, këtë herë ka zbuluar sipas tij pseudonimin serb të ish-kryeministrit, për të cilin thekson se ka qenë agjent i UDB-së.


Në këtë pjesë të intervistës me Brahon jepen të dhëna të reja dhe detaje të panjohura nga veprimtaria agjenturore e Berishës, sipas dorëshkrimit të ish-punonjësit të sigurimit të shtetit Ali Anadolli. UDB-ja nisi përpunimin e Berishës në Francë dhe në 30 nëntor 1974 tërhiqet në bashkëpunim nga shërbimi i fshehtë jugosllav me pseudonimin Bisturia. Me këtë emër gjendet në arkivat e UBD-së dosja personale e Berishës, thotë Braho.


Zoti Braho, pjesa e parë e intervistës me ju ditën e djeshme, ka pasur një jehonë të madhe, jo se këto gjëra nuk janë diskutuar ndonjëherë në shtyp, por sepse ju jepnit një dëshmi në dorë të parë. Me sa kam kuptuar nga reagimet, interesimi ka lidhje me dëshminë që ju sillnit nga dorëshkrimi i operativit të ish-Sigurimit të Shtetit Ali Anadolli, i cili e ka rekrutuar zotin Berisha si agjent në vitin 1967, me pseudonimin Penicilina. Keni të dhëna të tjera nga shënimit apo dëshmitë e këtij operativi?


Më vjen mirë për interesimin që ka ngjallur kjo intervistë. Edhe mua nuk më ka pushuar telefoni dje gjatë gjithë ditës. Lexues, të njohur e të panjohur të DITA-s, kërkonin se çfarë do të sjellim në pjesën e dytë të kësaj interviste


E pra, çfarë ka mbetur ende pa thënë nga shënimet e operativit Ali Anadolli?


Janë shumë gjëra. Ju duhet ti kushtonit disa numra gazete asaj dosje, por kjo është thuajse e pamundur. Dëshmitë e Ali Anadollit, një punonjës i respektuar dhe i besueshëm i ish-Sigurimit të Shtetit, tashmë duhet të jenë objekt i Prokurorisë. Megjithatë, për kuriozitetin tuaj dhe të lexuesve unë po ju tregoj ca gjëra më shumë. Nga operacionet e Sigurimit të Shtetit është zbuluar veprimtaria agjenturore e Rexhep dhe Milica Ramës në shërbim të UDB-së, gjë që vërtetohet nga dosja prej 1200 faqesh e Rexhepit dhe prej 700 faqesh e Milicës, dosje këto që ndodhen në arkivin e SHISH. Kur erdhi në pushtet, Sali Berisha nuk arriti ti zhdukte por me anë të Gazidedes mundi të zhdukte dosjen e tij. Edhe Gazidede ishte i rekrutuar nga UDB-ja, i tërhequr në bashkëpunim kur ishte mësues në Peshkopi. Jo më kot Berisha i dha këtij personi pushtet të pakufishëm më 1997-n. Ai dinte shumë për të. Bashkë me Gazideden, Sali Berisha ka zhdukur edhe shumë dosje të tjera, të cilat i janë dorëzuar UDB-së. Fatmirësisht, të dhënat e mësipërme për lidhjet familjare të Sali Berishës dhe gruas së tij, janë botuar edhe në gazetën kosovare Koha Ditore në vitet 97-98.


Zoti Braho, le të kthehemi edhe njëherë para viteve 90, në kohën kur Sali Berisha ka qenë mjek. A ka hije dyshimi në veprimtarinë e mjekut Berisha, i cili arriti të bëhej një nga mjekët më të besuar të udhëheqjes politike të asaj kohe? Të mos harrojmë se ai ishte mjek personali Hysni Kapos


Po. Kjo është e vërtetë. Dhe është shumë e çuditshme se si ai arriti të bëhej mjek i Hysni Kapos. Ai donte të shkonte deri tek Enveri, por sikurse e ka deklaruar vetë Nexhmije Hoxha, ajo ka penguar hyrjen e Sali Berishës në ekipin e mjekëve që kujdeseshin për Enverin. Gjithsesi ai arriti të hynte në familjen e Njëshit të asaj kohe, sikurse e keni parë kur ka dalë në fotografitë që janë botuar tashmë në liqenin e Pogradecit, ku Saliu dhe Liria janë bashkë me Sokolin dhe Liljanën. Nejse, kjo është tjetër punë.


Në rrethanat që ndodhej, për të arritur pikësynimet e tij, kuptoi se e vetmja rrugë ishte puna këmbëngulëse, aktivizimi intensiv në mbështetje të detyrave të ngarkuara nga Partia dhe bashkëpunimi me organet e Sigurimit. Sa e sa herë, Sali Berisha ka përgatitur ambientet e spitalit dhe ka zbatuar me përpikmëri operacionet e brendshme që kryente Sigurimi i Shtetit, duke vendosur teknikën operative përgjuese ndaj kosovarëve arratisur nga Kosova si grupe irredentiste. Në një rast, kur një djalë kosovar i shtruar në spital, që rridhte nga një familje patriotike dhe fisi i tij kishin vuajtur në burgjet e Goli Otokut, u bënë veprime operative për të zbuluar dhe identifikuar personalitetin e tij, me anë të Sali Berishës. Ky e identifikoi dhe e etiketoi atë si serb ! Kur ai djalë do ti dorëzohej autoriteteve jugosllave në kufi, para se të arrinte atje, u hodh nga një urë dhe theu këmbë e brinjë, vetëm për të mos rënë në dorë të UDB-së. Kosovari nuk u dorëzua dhe u verifikua më vonë se ishte vërtet ndryshe dhe u mbajt në Shqipëri.


Le të vazhdojmë më tej, sipas dëshmive të Ali Anadollit. Çfarë gjërash të tjera interesante mund të na thoni?


Nuk janë të paktë mjekët që ka spiunuar Sali Berisha, gjoja për veprimtari të dyshimtë dhe armiqësore. Që nga kjo hë filluan dyshimet ndaj Sali Berishës si agjent i UDB jugosllave. Në vitet 1991 1992 në Shqipëri u dyndën serbë të Kosovës që e njihnin mirë gjuhën shqipe. Ata ishin udhëzuar nga UDB që, duke u hequr si kosovarë dhe na bashkëpunim me agjentët serbë në Tiranë, të kryenin veprime për të ndikuar në popullin shqiptar kundër kosovarëve dhe në fakt, deri në një farë mase, UDB ja arriti qëllimit me anë të seksit, hapjes së lokaleve, shitjes së mallrave me çmime të shtrenjta në një kohë kur në Shqipëri kishte varfëri. Në atë kohë, Sali Berisha dhe Mehmet Elezi kanë marrë kontakt me disa prej tyre.