Pak ditë më parë, analizat e një laboratori britanik sugjeruan se audiopërgjimi i Albert Veliut me Agron Xhafajn është i montuar, duke bërë që prokuroria të lëshojë një sërë urdhër-arrestesh, përfshi edhe për Babalen.


Vetë Albert Veliu, në rrëfimin e tij për Open këmbëngul se në audiopërgjim është zëri i tij dhe ai i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm.


Babalja shton gjithashtu se i janë bërë shumë oferta, por edhe presione që të dalë e të thotë se audioregjistrimi ishte i manipuluar, por se i ka refuzuar.


Unë i qëndroj deri në vdekje, vërtetësisë së atij audiopërgjimi. Le të presim që të dalë nga burgu ai personi tjetër (Agron Xhafaj), dhe të bëjmë ballafaqimin. Të na merret zëri të dyve dhe më pas do provohet që unë kam të drejtë. Unë i qëndroj të vërtetës time dhe nuk kam frikë për veten, por vetëm për familjen time, deklaroi Albert Veliu.


Në audio-përgjimet e Fredi Alizotit, përmendet edhe një emër, Taulanti nga Librazhdi, për të cilin Prokuroria nuk ka ende dijeni se kush mund të jetë.


I pyetur se cili është Taulanti nga Librazhdi, në audio-përgjimin e Fredi Alizotit, Albert Veliu, për emisionin Open, dha referenca që të çojnë drejt kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.


Taulanti është ai djali i shkathët, që ka lidhje me të gjithë kingat e Shqipërisë. Është ai që del e thotë Babale 1 e Babale 2, e me radhë. E di e gjithë Shqipëria, cili është ky Taulanti. Ne babale jemi, e babale do vdesim, por nuk jemi si Taulanti, deklaroi Albert Veliu.


Babalja theksoi më tej se audio-përgjimet e publikuara nga prokuroria, në shumë momente mund të jenë të manipuluara dhe jo reale, pasi ata mund ti bëjnë si të duan, sipas tij.


15 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)