Edi Rama ka ngritur një grup të posaçëm për të mbrojtur familjen kriminale  Xhafaj, është deklarata që kreu i opozitës Lulzim Basha ka bërë nëpërmjet Facebook-ut.


Akuzat vazhdojnë edhe më tej, ku shefi i selisë blu pretendon se po falsifikohen prova e dëshmitarë nga grupi i posaçëm dhe po sulmohen kushdo që rrezikon kriminelët.


Kjo deklaratë vjen fill pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda u shpreh zyrtarisht se ka nisur hetimet ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji nën akuzën e kallëzimit të rremë në lidhje me dosjen Babale.


Më pas ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama për dosjen Babalja, e cila ka prodhuar reagime të mëdha mes kampeve politike. Përmes një postimi në Twitter Rama ironizon Bashën, ndërsa shtron disa pyetje.


Po Artist po, këtë aktorin mund ta gënjenit dy herë, edhe kur e futët në rrugën e burgut me filmin, edhe kur i thatë jepi, shpif për Taulantin që të shpëtosh nga burgu! Po si i bëhet të vërtetës o Artist, të vërtetës që ska mbushës e analist kazani që e mbulon dot?E di, në hall je, shkruan Rama.


10 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)