INTERVISTË/ SHKRIMTARI BAHRI MYFTARI FLET PAS BOTIMIT TË VËLLIMIT TË RI ME TREGIME


Petrika GROSI

Pak ditë pas daljes së librit të tij më të ri me tregime, shkrimtari Bahri Myftari flet në një intervistë të dhënë dje për gazetën “Albania”. Ai shpjegon sesi lindën “Djajtë e lumtur” dhe pse zgjodhi këtë titull për librin, e jo vetëm kaq. Më tej biseda jonë prek tema të ndryshme të krijimtarisë letrare, mes përjetimeve dhe anës konceptuale të shkrimtarit, deri te borgjezia, leximi elitar, sharjet e kafeneve dhe fenomeni Kadare...



Pas sa kohësh vjen prej jush ky botim i ri për shkrimtarin Bahri Myftari?

Libri vjen pas një viti e pak, kur “Toena” më botoi një vëllim me tregime të zgjedhura. Tregimet janë të reja, problemet, mesazhet… Ka gati 10 ditë që po mbledh përshtypjet e atyre që e kanë lexuar dhe jam mjaft i kënaqur.



Këto tregime ishin të mbetura në sirtar, apo janë shkruar kohët e fundit?

Kam gjithë jetën që mendoj për këtë vëllim. Konkretisht, nga seleksionimet e fundit të eksperiencës, mundësive, informacionit, kam mundur të përgatis këtë libër që mban titullin e çuditshëm “Djaj të lumtur”.



Me gjithë mend, pse “Djaj të lumtur”?

Natyrisht, është titull metaforik. Identitetin e tij nuk do ta gjeni në asnjë tregim te të njëzetët, por kur të mbarohet së lexuari libri, gjithsekush do të jetë i bindur se pse titullohet kështu. Në përgjithësi ekziston një shprehje proverbiale e krijuar nga Dritëro Agolli, më falni për shprehjen, por megjithatë më duhet ta citoj atë: “Aq të rrezikshëm janë këta njerëz dhe aq imponues, sa ke qejf të të thonë shkërdhatë...”. Në këtë kuptim, paraleli është i qartë. Djajtë e lumtur janë pikërisht këta njerëz që komandojnë vendin, jetën politike, Ekzekutivin, Gjyqësorin dhe që kontestohen tërësisht nga populli, deri në kufijtë e absolutes. Pjesa e lumturisë së tyre ka të bëjë me atë që këta “djaj” kanë vjedhur lumturinë që i përket tjetërkujt, por nuk duhen pasur zili për vetë faktin se janë djaj dhe kjo lumturi do t’u hiqet shpejt nga supet.



Besoni vërtet se lumturia mund të vidhet apo dhurohet?

Lumturia nuk vidhet, nuk dhurohet por fitohet. Ajo është një sinonim jo shumë i largët i lirisë. Në përgjithësi, nga natyra jam njeri optimist, ndonëse nga tematika e tregimeve duket sikur jam i pasionuar pas të zezës, së keqes. Gjithmonë jam për fitoren e së mirës. Historikisht e mira ka fituar dhe në realitet, dhe në letërsi. Drita është pak e largët, por në fund të tunelit, ama, e ka një dritë.



Pasi ende nuk e kemi lexuar librin, në çfarë ujërash mendoni se notoni me këto tregime?

Mendoj që jam te një përzierje e realizmit me të pabesueshmen, ndoshta te ai realizmi i famshëm magjik. Gjithmonë më ka pëlqyer proza e Dino Buxatit, ku ndërthuret subjekti me absurden, por askush nuk do të guxonte që të thoshte se Buxati nuk është i vërtetë. Edhe unë në disa nga këto tregime mendoj që jam i tillë, megjithëse kritika ka shënuar disa përqasje të tilla. Thuhet për një farë afrimiteti me rrymën e shkrimtarëve amerikano-latinë. Kjo mendoj se vjen ngaqë komunitetet që janë në tranzicion, në përgjithësi ngjajnë, pavarësisht largësisë gjeografike.



Në tregimet tuaja të mëparshme jemi mësuar të ndeshemi me personazhe të thjeshta, nga shtresa të ulëta sociale, që nga ushtarakët e pijanecët, deri te prostitutat që dalin heroina. Borgjezia do të mungojë edhe kësaj radhe?

Borgjezia, në kuptimin klasik, edhe këtë radhë do të mungojë, por jo borgjezia, e cila kërkon të përdorë makinacione për t’u shfaqur si e tillë, pasi çdo gjë e ka arritur në pasuri, komoditet e në t’u dukur, me përjashtim të mentalitetit të vërtetë borgjez. Kjo borgjezi e re, e krijuar në Shqipëri, ka kapur vetëm gjërat më elementare të borgjezisë klasike, ato që vijnë prej trashëgimisë ose pasurisë. Por duhet pasur parasysh se historikisht borgjezia ka qenë një shtresë shumë e rëndësishme, me një kontribut të madh në emancipimin e shoqërisë. Borgjezia jonë e imponuar, e krijuar mbi këto baza, nuk ka gjasa që t’i ngjajë asaj borgjezisë klasike për të cilën ju dhe unë jemi sot të shqetësuar.



Ndërkaq, ç’mund të thoni për masën dhe leximin, që thuajse është harruar?

Është një faj i përbashkët i gazetave, televizioneve, internetit, por edhe i ne krijuesve. Kjo ndodh edhe për shkak të mjeteve të reja dhe të shpejta të shpërndarjes së informacionit. Duhet hequr dorë nga koncepti i një lexuesi masiv. Sot lexuesi është elitë. Ne shkrimtarët nuk duhet të pendohemi kur nuk na ka lexuar një njeri me të cilin udhëtojmë në autobus, tren apo avion, dhe kjo është një gjë që duhet pranuar.



A nuk ju duket sikur kritika e letërsisë shqipe ka mbetur sot nëpër tavolina kafenesh dhe konkurse letrare të trukuara?

Jam mëse dakord, madje po i shtoj këtij përcaktimi që bëtë ju edhe një figurë tjetër: Kjo është kritika e kikirikëve, që buron nga promovimet dhe festat e librit, të cilat kanë qenë të ligjëruara dhe të arsyeshme vitet e para pas ’90-s, kur elementë të caktuar kanë dashur të afirmohen, rikonfirmohen dhe imponohen, por tani, pas 20 vitesh, këto lloj festimesh nuk kanë vend në letërsi. Secilit prej nesh iu krijua një pikënisje në ’90-n dhe i mbeti vetëm për të arritur finishin. Nuk ka nevojë për kokakola, kikirikë e didirambe. Mua si autor do të më pëlqente shumë më tepër që të kisha një gjykim më të drejtpërdrejtë dhe objektiv, jashtë komplimenteve të pabaza. Nuk më shqetësojnë vërejtjet, por hipokrizia.



Pse shqiptarët kanë maninë të shajnë shumë?

Shqiptarët e letrave nuk shajnë shumë, shqiptarët e politikës janë kampionë, shqiptarët ordinerë janë virtuozë. Shqiptarët e letrave kanë një të metë tjetër të madhe, që lavdërojnë shumë.



Meqenëse jemi te kritika, sharjet dhe shkrimtarët, si i shikoni sulmet mediatike që shpesh i bëhen Ismail Kadaresë?

Në përgjithësi është një shprehje e famshme që thotë: “Disa pickime mizash nuk kanë ç’t’i bëjnë vrapit të një kali”. Sapo kam mbaruar së lexuari romanin më të fundit të Kadaresë “Darka e gabuar” dhe mund të them se është vërtet një libër interesant, shumë modern në të shkruar. Nuk po merrem me përmbajtjen, por dua të them se është absolutisht i mundshëm dhe i nevojshëm për t’u lexuar. Tashmë Kadareja ka krijuar korpusin e vet dhe nuk është as shqiptare, as intelektuale të bësh vërejtje dashakeqe ndaj tij, siç ka ndodhur herë pas here në shtyp. Këto zëra, para se t’i bëjnë dëm Kadaresë, i bëjnë dëm vetes së tyre dhe krijojnë një opinion të gabuar. Nuk jam për himnizime figurash, por nuk kemi të drejtë që ta sulmojmë më kot Kadarenë, por edhe simbole të tjera kombëtare. Nuk jam për absolutizimin e asnjë figure, por nuk kemi pse t’i ngacmojmë figurat tona të mëdha, pasi nuk i zbehim dot. Ata që e bëjnë një gjë të tillë kërkojnë protagonizëm me çdo kusht dhe në çdo mënyrë.



Ju vetë ju ka ndodhur të sulmoheni?

Kokrra e mollës së mirë, ajo goditet. Unë për veten time nuk e kam provuar sulmin mediatik në mënyrë kaq shqetësuese. Duke qenë dhe pjesë aktive e shoqërisë, dhe këtë nuk e them për medalje, kam pasur kurajën qytetare që çfarë është shkruar para ’90-s të them se nuk më duhet më dhe nuk më intereson shumë, pasi nuk më shërben as mua, as shoqërisë.











12 Nentor 2008