MYNIH - Edhe pse me vuajtje në fundin e ndeshjes, teksa nga 3-0 ka përfunduar takimi 3-2, Bajerni i Mynihut ka fituar edhe Kupën e Gjermanisë. I treti trofe ky për bavarezët për këtë sezon, teksa kanë fituar titullin kampion, Ligën e Kampioneve dhe së fundmi Kupën e Gjermanisë. Përballë, në sfidën e fundit ka pasur Shtutgartin, që e ndëshkon që në pjesën e parë, me një penallti të fituar nga Lahm dhe teksa e kthen në gol Myler.

Pjesa e parë do të përfundonte 1-0, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë Gomez dyfishon shifrat. Më pas do të jetë sërish Gomez, që kalon në 3-0 Bajernin. Kur u duk se Bajerni do të priste vetëm përfundimin e ndeshjes, nuk është kështu.

Shtutgarti shënon dy gola njëri pas tjetrit, duke i çuar shifrat në 3-2. Ka vuajtje në minutat e fundit dhe në shtesë për bavarezët, por që gjithsesi në fund arrijnë të fitojnë dhe të ngrejnë lart trofeun e Kupës së Gjermanisë. Pikërisht me këtë ndeshje përfundon edhe cikli i trajnerit Hjenkes, i cili do t’i lërë vendin Guardiolës.

(er.nu/E.Ilnica/BalkanWeb)