EDUARD ILNICA

Ajo që pritej ka ndodhur, Bajerni i Mynihut bën të vetin trofeun e Ligës së Kampioneve, duke “pushtuar” kështu arenën europiane. Bavarezët bëjnë kështu të vetin për herë të pestë trofeun më prestigjoz në klube, duke thyer kështu edhe tersin e keq të finaleve, teksa në 4 vitet e fundit Bajerni kishte dalë e herë në finale. Dhe pikërisht njeriu “ters” i finaleve, Arjen Roben, ia jep këtë trofe, teksa në limitin e kohës së rregullt arrin të shkëputet mirë dhe të shënojë, një gol që nuk ka mundësi më të rikuperohet dhe që i jep titullin skuadrës së tij. Më shumë se gjysma e stadiumit gëzon, ndërsa pjesa e tjetër në lot. Një finale e gjitha gjermane, por që në fund fiton historia dhe më i forti. Dhe në fund, më i vogli, më shtatshkurtëri i ekipit, Filip Lam, kapiteni i Bajernit, ngre lart trofeun, që duket nën erën e Guardiolës do të duhet të mbrojë pikërisht këta titujt që po ngre lart trajneri Hejnkes. 

NDESHJA
Fillimi i ndeshjes ka folur i gjithi për Dortmundin, që për minuta të tëra ka vënë në vështirësi Bajernin. Levandovski, Rojs, Gundogan kanë pasur secili nga një rast të artë. Por bavarezët në rastin e parë që krijojnë për pak sa nuk shënojnë. Ka qenë Manxukiç që provon dhe më pas edhe Martinez, por nuk ka gol. Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola, edhe pse në fakt për nga rastet duhet të paktën të ishte ndarë në 1-1. Në pjesën e dytë kemi më iniciativë të Bajernit, që merr frenat e lojës dhe që për minuta të tëra dominon ndeshjen. Për të ardhur pastaj te goli i parë, ku Riberi nxjerr të lirë Robenin në zonë, ky i fundit pason për Manxukiç, që i vetëm me portën, vetëm sa shtyn topin në rrjetë. Nuk stepet Dortmundi, që vetëm pas pak minuta më pas fiton 11-metërsh, teksa e kthen në gol Gundogan. Por Roben nuk dorëzohet, me anjë të një lëvizje tepër mashtruese, nxjerr blof portierin kundërshtar dhe shënon golin e fitores. Nuk ka më kohë, minutat shtesë administrohen mirë dhe Bajerni fiton. 

FESTA
Stadiumi “Uembli” është pushtuar nga ngjyra e kuqe, ndërsa të verdhët vetëm kanë ulur kokat. Filip Lam, kapiteni i Bajernit ngre lart trofeun e Championsit dhe në stadium ka vetëm festë. Një urim special ka ardhur edhe nga Xherdan Shaqiri, që ia dedikon këtë trofe gjithë shqiptarëve. Ka qenë i pari shqiptar në historinë e Ligës së Kampioneve që ngre lart këtë trofe, duke mbajtur mbi supe flamurin e Kosovës. Por bavarezët nuk do të festojnë më shumë sesa sot, pasi më 1 qershor do të ndeshen me Shtutgartin në Kupën e Gjermanisë, teksa Bajerni synon “tris” këtë sezon, si asnjëherë më parë në historinë e këtij klubi. 

BERISHA
“Super ndeshje, super spektakël, super portier! Fitore e merituar e Bajernit! Ne do fitojmë! Përpara! Unë si gjithnjë me fitimtarin. Fitore! sb.” Ky ka qenë ky mesazhi i Kryeministrit Sali Berisha në fund të finales së Ligës së Kampioneve 

(a.h/BalkanWeb)