Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se është i kënaqur që më në fund Gjykata vendosi drejtësi për skandalin e pasaportave, duke i dënuar përgjegjësit kryesor me gjithsejtë 49 vjet.
“Drejtësia vonon por ajo del. Është çështje e gjykatës se sa i ka dënuar”, ka thënë Rexhepi.
Hetimet për skandalin e pasaportave kishin nisur pasi kompania kontraktuese kishte njoftuar se nuk po i merrte paratë me rastin e lëshimit të pasaportave. Paratë kishin shkuar në adresë të të dënuarve, Natali Velija, Fisnik e Betim Blakaj.
Rexhepi thotë se kishte kërkuar i pari hetime për këtë skandal, mirëpo, pastaj kundërshtarët e kishin akuzuar pa të drejtë se ishte i përfshirë në këtë rast.
Ai e pranon se është dëmtuar politikisht nga skandali i pasaportave.
“Edhe një herë po e them se drejtësia vonon nganjëherë, por në momentit që kam marrë vesh se nuk janë duke shkuar paratë në vendin e duhur kam kërkuar fillimin e hetimeve. Mirëpo, dy vjet e gjysmë më kanë bombarduar dhe e kanë arritur efektin të më dëmtojnë politikisht. Le t’ju shërben për nder atyre që i kanë bërë këto”, ka deklaruar Rexhepi.
Ndërkohë, po sot, Menaxher i prodhimit të dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Besnik Berisha, ka paralajmëruar padi ndaj Bajram Rexhepit, duke thënë se me largimin e tij nga puna e ka dëmtuar moralisht, financiarisht dhe profesionalisht.
Mirëpo, Bajram Rexhepi, thotë se ai u largua me vendim të Sekretarit të MPB’së për mosmenxhim adekuat të kontratës.
“Ai le t’i ndjek detyrat e veta. Vendimi është i nënshkruar prej Sekretarit dhe s’kam çka komentoj. S’merrem as me Besnik Berishën, ata kanë qenë përgjegjës për menaxhimin e kontratës. Nuk e kanë menaxhuar më së miri dhe dihet – merreni vendimin dhe shikojeni vendimin – e ai le të merret me detyrat e tij”, ka thënë Rexhepi./Express/