Në Stacionin Hekurudhor Ndërkombëtarë të Bajzës, prej 20 vitesh në magazinat e tij ndodhet një sasi tepër e madhe mbetjesh toksike mjaft të rrezikshme e tepër aktive, duke e klasifikuar këtë zonë ndër më të ndoturat në Shqipëri. Pasojat e këtyre mbetjeve toksike ndihen edhe në ditët e sotme te njerëzit që punojnë dhe banorët aty pranë. Këto lëndë helmuese që ndodhen në stacionin hekurudhor të Bajzës duket se shumë shpejt do të hiqen dhe do të asgjësohen jashtë Shqipërisë. Kjo konfirmohet nga drejtori i stacionit hekurudhor ndërkombëtarë të Bajzës, Valentin Popaj, i cili në intervistën për "Shqip" ka shpjeguar me detaje rrezikun e këtyre mbetjeve, shqetësimin e institucionit të tij dhe projektin e financuar nga donatorë të huaj për asgjësimin e këtyre mbetjeve toksike.

Prej sa kohësh ndodhen këto materiale toksike dhe si kanë ardhur?

Bëhet fjalë për vitin 1990-1991, kur nga Gjermania kanë ardhur në bidonë 60l dhe 200l sasi tepër të mëdha me mbetje toksike e të lëngshme. Një pjesë e këtyre u kthyen mbrapsht për në Gjermani, ndërsa pjesa tjetër për fat të keq jo vetëm që nuk qëndroi këtu, por banorë të zonës i morën duke i derdhur në territorin përreth. Ndërsa një sasi tjetër, rreth 20 tonë, ka ardhur nga kombinati kimiko-metalurgjik i Elbasanit dhe është një lëndë në formën e një gëlqereje të ngurtë tepër të rrezikshme, natro-ferro-silicium, me formulë NA2 S2 F6, e cila ka ardhur në thasë 200 kg.

Mendoni se kemi të bëjmë me një territor të rrezikshëm për jetën?

Ajo që është më problematike janë lënda toksike që është derdhur në tokë, pasi ajo lëndë toksike jo vetëm që ka ndotur barin ku kullotin bagëtitë, por ka depërtuar dhe në ujërat nëntokësore, duke u bërë kështu një element mjaft i rrezikshëm. Pastaj ka dhe diçka, që bidonët që kanë pasur lëndë toksike janë marrë e përdorur nga banorët në shtëpitë e tyre.

A keni bërë ndonjë tentativë për t‘i hequr këto mbetje toksike?

Në lidhje me këtë problem, këto 6 muajt e fundit është bërë një punë mjaft e mirë, pasi është ndezur drita jeshile për pastrimi e kësaj zone nga këto mbetje. Konkretisht është bërë një projekt i përbashkët i Kombeve për Zhvillim e Ministrisë së Mjedisit, si dhe janë siguruar donacione nga qeveria holandeze dhe shumë shpejt besojmë se këto mbetje do të hiqen. Puna është parashikuar në dy faza, ku në fillim do të bëhet studimi që do thotë se ekspertë nga vende me eksperiencë në këtë fushë do vijë të marrin kampione toke, uji dhe ajri, do bëjnë shpime në tokë për të parë se në çfarë mase është ndotje toksike, pastaj do të jetë dhe finalizimi, ku do të merren këto mbetje e do asgjësohen jashtë Shqipërisë, ose në territorin tonë.

Bajza është i vetmi stacion ndërkombëtar hekurudhor për transport mallrash që ka Shqipëria. A duket se prishin imazhin e këtij institucioni këto mbetje?

Ne jemi e vetmja pikë kalimi ndërkombëtare hekurudhore. Gjatë muajve të fundit kemi arritur të plotësoje mbi 60% të planit të të gjithë hekurudhës shqiptare dhe vetëm vitin e fundit kemi pasur hyrje-dalje 8204 vagonë mallrash. Pjesa më e madhe e biznesmenëve shqiptarë sjellin mallrat e tyre me linjë hekurudhore nga e gjithë Evropa, pasi transporti është gati 50% më lirë. Përmendja e këtyre shifrave flet qartë se çfarë rëndësie ka kjo pikë kalimi për ekonominë shqiptare dhe imazhin. Tani që këto mbetje toksike do të hiqen, tashmë imazhi i këtij stacioni do të përmirësohet.

Banorët: Jeta jonë

mes pesticideve


Një nga banorët e zonës, Rrok Bucaj, duke folur për gazetën shprehet se "situata është mjaft e rëndë, njerëzit këtu të gjithë kanë dhimbje koke, debulesë, sidomos kur ka vranësira apo fryn erë. Nuk kanë munguar rastet kur janë shfaqur sëmundje të rënda si tumore, leucemi apo gratë kanë lindur fëmijët me defekte. Të gjitha këto kanë ndodhur nga mbetjet toksike që janë te magazinat e stacionit hekurudhor". Probleme gjithashtu kanë dhe punëtorët që punojnë prej vitesh në këtë stacion. Nosh Voci, i cili punon në këtë hekurudhë prej 25 vitesh, thotë se "kam shumë vite që punoj dhe dhimbja e kokës është bërë kronike, si dhe debulesë ndiej menjëherë kur ka ndryshim moti". Banorët, te të cilët dita ditës po shfaqen sëmundje nga më të rëndat, i bëjnë apel shtetit të ndërhyjë, pasi ata po jetojnë me vdekjen.