Trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kapërcen kufijtë në një tur shfaqjesh në Itali. NOCES & La stravaganza, balet nga Angjelin Preljocaj do të prezantohet nga trupa e baletit në disa nga teatrot e rëndësishëm në Itali si :Teatro Giordano, Foggia, Teatro Garibaldi, Bisceglie, Teatro Abeliano, Bari, Teatro Apollo, Leçe . Ambasadorët tanë më të mirë, i cilësoi Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në konferencën për shtyp, organizuar në mjediset e MK-së.


Duke shtuar se Kemi shpallur prioritet diplomacinë kulturore dhe është detyrë e institucionit të krijojë mekanizmat e duhur që skena e vogel e artit shqiptare të përballet me skenën e madhe evropiane. Trupa me artistët shqiptarë do të prezantohet me baletet e njohura, që më herët janë vënë në skenën e TKOB-së. Për këtë turne dy javor në disa qytete të Italisë për publikun në skenë do të jenë veprat e baletit si Noces/Dasma dhe La Stravaganza të koreografit të mirënjohur Angjelin Preljocaj.


Gjithmonë dasmat më janë dukur si tragjedi të çuditshme. Ndoshta, nisur nga tradita ballkanase apo thjesht prej fantazisë së gjallë të një fëmije, instiktivisht e kam ditur që kishte një mister që shoqëronte figurën e nuses, e cila asnjëherë nuk shfaqej gjatë festimeve të dasmës së saj , u shpreh Preljocaj në vënien e parë skenike të kësaj vepre në Tiranë.


Turi i shfaqjeve të TKOB-së në Itali realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit nënshkruar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Presidenti i Rajonit të Puglia-s, z. Michele Emiliano në fushën e atit, kulturës dhe turizmit kulturor mes Shqipërisë dhe Rajonit të Puglia-s. Noces është baleti 29-vjeçar që mban peshën e fortë të origjinës së Angjelinit me një energji të bukur- u shpreh Noémie Perlov, bashkëpunëtorja më e afërt e koreografit prej disa vitesh, e cila ka mbrritur në Tiranë për të përgatitur trupën e baletit përpara nisjes.


Turi i shfaqjeve do të prezantojë veprat më të arrira skenike të trupës sonë të baletit, ndërsa shpresojmë në vendosjen e kontakteve me teatro të tjerë në Itali dhe më gjerë. Është detyrë e institucionit të vazhdojë me bashkëpunime ndërkombëtare, të cilat rrisin kapacitetet artistike të artistëve të TKOB-së, u shpreh Zana Çela, duke uruar suksese të mëtejshme artistëve.


20 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)